Wednesday , August 5 2020

COVID 19/Java e re sjell shifra alarmante në Elbasan

Java e re ka nisur sërish me shifra të larta të të prekurve me COVID, por edhe pacientëve që kanë humbur jetën. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën te Infektivi 3 pacientë, mjeku Hysni Shkjau nga Puka, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, duke e çuar në 79 numrin e viktimave në total.

Ndërkohë që vijon që të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rëndë. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime, numri më i lartë nga fillimi i pandemisë për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon:

24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë për herë të parë, Kamëz, Fier.

Ministria e Shëndetësisë thekson se është vënë re një numër më i lartë i testimeve por përqindja e pozitivitetit është reflektuar me një nivel qëndrueshmërie pothuaj të njëjtë gjatë gjithë javës.  Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.

Që prej fillimit të pandemisë ky është numri më i lartë i të prekurve në qytetin e Elbasanit për 24 orë. Është shumë e nevojshme që të ndiqen rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.  Aktualisht në Elbasan janë aktive 24 raste dhe sipas informacioneve të gjitha rastet janë në gjendje të stabilizuar dhe shumica e tyre po trajtohen në shtëpi.