Tuesday , August 11 2020

“Po përgatitemi për sezonin vjeshtë-dimër”, Manastirliu zbulon masat e reja kundër Covid-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije disa detaje rreth situatës që ndodhemi. Në një takim me epidemiologët e Tiranës, ajo tha se në dispozicion do të vihen 300 mjekë, infermierë, teknikë, në përgjigje të planit dhe strategjisë afatmesme ndaj situatës së shkaktuar nga COVID19.

“Vendimi i qeverisë ka alokuar 300 punonjës të dedikuar për spitalet që priten të hapen, por edhe për planin tonë afatmesëm në kuadër të përgjigjes të situatës të shkaktuar nga COVID19. 300 punonjës do të jenë mjekë, teknikë apo infermierë, që do t’i përgjigjen nevojave të spitaleve COVID apo nevojave të tjera që ka sistemi shëndetësor”, tha Manastirliu.

Më tej, Manastirliu ka shpalosur edhe planin për muajt e vjeshtës dhe dimrit. “Ne po përgatitemi për vjeshtë-dimrin, që sigurisht do të jetë i vështirë, por po përgatitemi të fuqizojmë asetet sa i përket burimeve njerëzore, epidemiologët, punonjësit në shërbimet e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor jo vetëm në Tiranë, ku janë dyfishuar ekipet por edhe në të gjithë qarqet, në mënyrë që në terren të kemi më shumë epidemiologë, më shumë punonjës, të cilët të mundet të kenë rioritet jo vetëm testimin, por edhe gjurmimin, hetimin për kufizimin e infeksionit”, përfundoi ajo.