Sunday , September 20 2020

Librazhd/ Vjon puna për zgjerimin e shkollës dhe ndërtimin e Sallës së Sporteve

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, bashkë me kryetarin e bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra, inspektoi sot punimet në kompleksin arsimor të qytetit Librazhd, ku vijon puna për zgjerimin e shkollës dhe ndërtimi i Sallës së Sporteve. “Viti i ri shkollor po afron dhe detyra jonë është t’u ofrojmë nxënësve kushtet e duhura në shkolla. Prej kur vetë kam qenë nxënës në Librazhd kemi patur dëshirë të kemi një palestër të mirëfilltë sportive”, tha Balla.

Balla tha se Librazhdi ka pasur një traditë të sporteve me dorë, ndaj gjithmonë ka qenë ëndërr të kishim një palestër për sportet me dorë. Ai tha se tani do të krijohet mundësia që kjo palestër të shfrytëzohet nga komuniteti.

“Investimet në arsim në Librazhd mbeten një prioritet. Ndihem krenar që pas kaq shumë vitesh e dekadash në Librazhd ndërtohet një sallë sportive e standardeve më të mira që përmbush kriteret e federatave sportive të lojërave me dorë”, tha Balla.

Ai theksoi se “ky do të jetë një ambient që do të përfitojnë jo vetëm njerëzit por do të rikthejë ekipet e të rinjve të sporteve me dorë dhe sportdashës të të gjitha moshave”.

“Vëmendja jonë është rikonstruksioni i të gjitha shkollave të mesme në bashkinë Librazhd dhe për të vijuar edhe me shkollat 9-vjeçare ku nevoja për të ndërhyrë është e menjëhershme  në disa prej tyre. Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë verës për përgatitjen e godinave arsimore për nisjen e vitit të ri shkollor”, tha Balla.