Sunday , September 27 2020

Viti i ri shkollor, ja çfarë pritet të ndodhë me shkollat. A do të hapen?

Ministrja e Arsimit Besa Shahini, ka deklaruar se vendimi për skenarin e fillimit të ri të shkollës do të vendoset nga Task-Forca për Koronavirusin në varësi të ecurisë së pandemisë. Nëpërmjet një video-mesazhi Shahini është shprehur se “në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”.

“Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore. Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”, është shprehur Znj. Shahini. 

Më tej ajo ka thënë se mësimi në kushte shtëpie është i vështirë, por është i domosdoshëm kur shkollat nuk mund të hapen dot. Ajo u ka bërë thirrje nxënësve dhe mësuesve që të respektojnë rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.  “Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore”, tha Ministrja Shahini. /Shqiptarja.com