Friday , September 18 2020

Ç’pritet të ndodhë nga shtatori, me tamponët dhe vaksinat e gripit?- e thotë Manastirliu

Në një komunikim live, ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu prezantoi strategjinë e testimit dhe hetimit epidemiologjik për periudhën vjeshtë-dimër. Ministrja bëri me dije se duke filluar nga muaji shtator, do të ketë dyfishim të testimeve për të dyshuarit me Covid-19. “Duke filluar nga muaji shtator, kapacitetet e testimit do të rriten me dy herë, duke shtuar ekipet e terrenit, infrastrukturën e nevojshme dhe kapacitetet laboratorike. Po bëjmë çdo përpjekje që kemi në dorë, për t’iu përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë-dimër.

Struktura jonë kombëtare e testimit do të sigurojë që të përballohen kërkesat për testim dhe diagnostikim për qytetarët e dyshuar të prekur nga COVID-19. Jo vetëm do të rrisim kapacitetet në disa laboratorë publikë në vend, por edhe në bashkëpunim me sektorin jopublik”, -tha Manastirliu.

Gjithashtu, Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë financimin, në mënyrë që vaksina e gripit të bëhet falas për grupet e rrezikuara. “Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, te të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj., me vaksinën e gripit falas”, -u shpreh ministrja.

Referuar situatës aktuale të Covid-19, Manastirliu tha se Shqipëria vijon të ketë tregues të qëndrueshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit.