Wednesday , December 2 2020

Drejt Elbasanit me tren; Psikologia rrëfen udhëtimin e saj të veçantë!

Ju kujtoni se nuk ka më trena në Shqipëri? Epo, e keni gabim. Përvoja e psikologes së Dritare.net Enertila Bekteshit na tregon të kundërtën. Dikur udhëtimi me tren në vendin tonë ishte i zakontë, ndërsa sot po përdoret gjithnjë e më pak. Por ende ka udhëtarë besnikë që nuk i braktisin ato. Psikologia e Dritare.net, Enertila Bekteshi, fundjavën që lamë pas, itinerarin Durrës-Elbasan, vendosi të mos e bëjë si zakonisht me makinë, por me tren.

Ajo ndau me ne eksperiencën e saj, duke na rrëfyer ndjesitë e përjetuara. Udhëtimi siç tregon Enertila, zgjati përreth një orë. Bileta, kushton fare pak, vetëm 50 lekë të reja. Ndryshe nga se ç’kishte menduar Enertila, udhëtarët nuk ishin të paktë.

“U gëzova shumë kur pashë që kishte ende shumë njerëz që përdornin trenin për të udhëtuar në destinacione të ndryshme. Kishte udhëtarë nga të gjitha moshat. Vura re se udhëtimi i tyre mund të kishte arsye nga më të ndryshmet , kjo të paktën kuptohej nga bagazhet që kishin. Kuptova që shkonin në plazh ndoshta edhe për shkak të linjës që lidhet me plazhin e Durrësit, por edhe për vizita te familjarët. U gëzova që njerëzit ndoshta edhe nga kushtet aktuale, apo çmimet fare të lira, frekuentojnë ende trenat, ndryshe nga ç’mund të mendohet se trenat nuk presin më udhëtarë”.

Udhëtimi me tren për Enertilën, është i zakonshëm. Jo në vendin tonë por gjatë vizitave turistike jashtë vendit. Kjo është hera e dytë që ajo udhëton me tren në Shqipëri, së bashku me familjen e saj, për të rizgjuar kujtimet e vjetra. “Mua më pëlqejnë shumë udhëtimet të cilat kanë një efekt shumë relaksues. Udhëtoj zakonisht jashtë vendit me trena, kjo për shkak të kostos dhe qëndrimit në një vend të huaj që është e kuptueshme nga të gjithë. Në vendin tonë është hera e dytë që udhëtoj ,dhe mendoj se do të vazhdoj ta bëj edhe më shumë. Unë zgjodha bashkë me familjen time të udhëtoj me tren për nostalgji, për një udhëtim ndryshe, për të zgjuar shumë emocione bashkë.

Unë kam udhëtuar para disa vitesh, por kushtet ishin më të mira këtë herë. Udhëtimin në tren unë e bej në stinën e verës atëherë kur kam edhe pushimet, ndaj besoj se edhe numri i udhëtarëve është më i madh pikërisht për shkak të stinës. Në të dyja herët ka pasur njerëz dhe për këtë më vjen mirë. Ishte një udhëtim shumë komod”.

Sigurisht si një psikologe e di mirë se çfarë mund t’i sjellë qetësi trurit në këtë ditë aspak të zakonta, ndaj udhëtimin me tren, është një ide që e sugjeron jo vetëm për të kaluar një ditë ndryshe me emocione të reja, por edhe për pak qetësi shpirtërore.

“Unë do të doja shumë që njerëzit të frekuentonin linjat e trenave dhe sugjeroj që njerëzit të riorientohen drejt përdorimit të trenave. Udhëtimi me tren zgjon brenda nesh kujtime apo romancë. Sjell më shumë emocione pozitive, dhe pse jo këto t’i përcjellim ndoshta edhe te brezat e rinj apo fëmijët tanë”, shprehet psikologia Bekteshi.

Psikologia Enertila Bekteshi, udhëtoi nga Durrësi në Elbasan me tren, ndërsa aktualisht në vendin tonë, ka shumë pak linja trenash funksionale. Urojmë që të jetë e shpejtë dita që rrjeti hekurudhor shqiptar do rikthehet dhe të gjithë të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe këtë lloj transporti./dritare.net