Wednesday , September 30 2020

Si do të rriten rrogat për administratën, ja kush përfiton

Alket Hyseni, deputeti i Partisë Socialiste, shprehet se Kuvendi ka propozuar rregullimin e pagave të administratës publike gjatë vitit 2021. Hyseni është relator i Komisionit të Ligjeve i Rezolutës së Kuvendit, për vlerësimin e punës së Departamentit të Administratës Publike dhe gjendjen e shërbimit civil, ku i kërkohet Ministrisë së Financave që të parashikojë në buxhetin e vitit të ardhshëm një rritje prej 50 milionë dollarësh për shtesat në paga. Kuvendi duket se do të rregullojë një anomali në sistemin e pagave, ku vërehen paga të ndryshme dhe me diferenca shumë të mëdha për të njëjtin pozicion pune.

Sipas Hysenit, këto paga tejkalojnë dhe pagën e Presidentit të Republikës, e cila konsiderohet me ligj si paga më e lartë në hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë. 50 milionë USD parashikohen të përfshihen në buxhetin e shtetit në tri vitet e ardhshme, 2021, 2022, 2023, vetëm për zërin “Politika të reja pagash”

Duke folur për gazetën “Panorama”, Hyseni thotë Rezoluta e Kuvendit është një mekanizëm i kontrollit parlamentar, vlerësuese dhe orientuese, por patjetër sjell edhe efekte detyruese për të gjitha institucionet që u drejtohet.

Zoti Hyseni, ju jeni relator i projektrezolutës për vlerësimin e punës së Departamentit të Administratës Publike, për gjendjen në shërbimin civil për vitin 2019. Çfarë do të synojë kjo Rezolutë?

Rezoluta e Kuvendit për vlerësimin e punës së Departamentit të Administratës Publike dhe gjendjen e shërbimit civil, është në kuadër të kontrollit parlamentar ndaj institucioneve kushtetuese dhe ato të përcaktuara me ligj. Shqipëria ndodhet në një fazë kyç për proceset integruese me fillimin së shpejti të ezaurimit një e nga një të kapitujve të negociatave, gjë që do realizohet nga ekspertët më të mirë të administratës sonë publike.

Përtej kësaj, reforma në administratën publike është vetë një nga prioritetet kyç për integrimin. Sa më sipër, merr rëndësi prioritare rritja e nivelit dhe performancës së shërbimit civil bazuar në një administratë të qëndrueshme, profesionale dhe të pavarur. Kuvendi kërkon rritjen e mëtejshme të cilësisë së rekrutimeve, transparencë dhe masivizim të procesit. Mbështetëm dhe inkurajuam iniciativën e qeverisë për punësimin e studentëve të ekselencës.

Në të propozohet edhe rishikimi i pagave të administratës publike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021. Sa pritet të jetë kjo rritje?

Sa i përket çështjes së pagave, Kuvendi ka kërkuar në Rezolutë që DAP të zhvillojë një politikë gjithëpërfshirëse të pagave për një skemë pagash të drejtë, transparente dhe të bazuar në merita, për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet, duke propozuar, nëse vlerësohet e arsyeshme, edhe ndryshime të kuadrit ligjor dhe nënligjor. Nuk është kompetencë e DAP-it rritja e pagave, por e qeverisë. Departamenti i Administratës Publike duhet të hartojë politikë rregullatore të unifikuar të pagave, pra një udhëzues për qeverinë të nivelit të pagave dhe hierarkinë e tyre, në mënyrë që të ketë një shtrirje kapilare homogjene në çdo institucion dhe jo si deri më tani, që për funksione të njëjta dhe nivel të njëjtë në administratën publike, ka paga të ndryshme në institucione të ndryshme.

Cilat do të jenë kategoritë e punonjësve të administratës që do të përfitojnë nga kjo rritje?Janë mijëra punonjës të shtetit, jo vetëm në administratën publike, që paguhen në mungesë të një skeme unike me paga shumë më të larta se Presidenti i Republikës, i cili, sipas ligjit të buxhetit, duhet të kishte pagën më të lartë në hierarkinë e pagave në Republikën e Shqipërisë. Rezoluta do të jetë detyruese për qeverinë dhe a ka një faturë financiare që do ta shoqërojë atë? Në kushtet e parimeve të Republikës Parlamentare, ku Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm nga ku burojnë apo kontrollohen të tjerët, Rezoluta është një mekanizëm i kontrollit parlamentar, vlerësuese dhe orientuese, por patjetër sjell edhe efekte detyruese për gjithë institucionet që u drejtohet.

/Panorama