Friday , September 18 2020

E reja infekton familjen me Covid-19 pas një nate në diskotekë: “Nuk ja fal vetes, babai ndodhet në terapi intensive”

Vera e 2020-ës duhet të ishte shumë e mërzitshme. Kështu mendonte Martina, studentja italiane e cila ndodhej në Madrid kur nisi pandemia. Por në fakt ndodhi e kundërta dhe sezoni veror nisi në mënyrën më të mirë, me takime me miqtë, palestër dhe plazh. Vajza, e cila ka treguar historinë e saj në një letër të dërguar tek “Corriere della Sera”, preferoi që t’i shmangte vendet e mbyllura, me një përjashtim, festën e datëlindjes së një shoku. “Mendova se për një natë nuk do të ndodhte asgjë”- thotë Martina.

Nga ky moment nisën një seri ngjarjesh “domino”. Një javë pas festës ajo pati disa simptoma si temperatura dhe dhimbja e fytit. Fillimisht mendoi se ishte nga ajri ftohtë i kondicionerit, madje të njejtën gjë i thanë edhe mjekët, që nuk është Covid-19, kështu që ajo nuk u shqetësua.

“Vazhdova jetën time normale, shkoja të haja në restorant me babin, qëndroja me gjyshërit”- tregon ajo, ndërkohë që 1 javë pas shfaqjes së simptomave, një prej të pranishmëve në festë rezultoi pozitiv me koronavirus. Martina bëri menjëherë tamponin, edhe ajo ishte pozitive.

“Vetëm mamaja ime ishte negative. Pozitivë gjyshërit, kushërira ime 12 vjeçe dhe babi. Gjyshi përfundoi në spital, por tani ka dalë.”

 Por jo i ati, i cili tani ndodhet në terapi intensive, i intubuar, prej dy javësh. “Po lufton me të gjitha forcat dhe unë nuk mund ta shoh, nuk mund ta ndihmoj, nuk mund ta kthej kohën pas. Nuk ja fal kurrë vetes që shkova në atë festë, nuk kam më uri, nuk arrij të bëj dot më asgjë”- shkruan Martina në letrën e saj- “E rimendoj shpesh sa e lumtur isha atë natë dhe tani mendoj për këtë që ndodhi. Shpresoj që babi im ta fitojë edhe këtë betejë. Mendoja se vera e 2020-ës do ishte shumë e mërzitshme, por rezultoi të ishte më e keqja e jetës time. Shpresoj të paktën që historia ime të mund t’i shërbejë dikujt tjetër.”

/News31.al

Burimi: Corriere Della Sera