Sunday , December 6 2020

Mblidhet sot në Elbasan grupi parlamentar! Çfarë pritet te diskutohet

Shtatori nis vrullshëm për Partinë Socialiste. Ditën e sotme në orën 16:00 do të mblidhet grupi parlamentar socialist, mbledhje e cila do të mbahet në qytetin e Elbasanit. Mësohet se në fokus do të jetë thirrja e Asamblesë Kombëtare për zgjedhjen e kryesisë së re, marrja e porosive për nisjen e fushatës elektorale.

Gjithashtu socialistët do të informohen për ndryshimet  e reja që do të ndërmerren për Kodin Zgjedhor me qëllim hapjen e listave. Në fokus të diskutimeve do të jenë edhe sfidat e sesionit parlamentar në tërësi, i cili pritet të nisë në datë 7 shtator.

Sakaq sa i përket Asamblesë Kombëtare, gazetarja e Report Tv, Klesiana Omeri raporton se flitet për një skenar të mundshëm se si do të zhvillohet, nisur nga fakti se është e kushtëzuar për shkak të COVID-it.

Mësohet se po diskutohet si mundësi mbajtja e Asamblesë në tre qytete, Fier, Shkodër dhe Tiranë ku do të bëhet një lidhje online me kryeqytetin, nga ku pritet të mbajë fjalën kryeministri Edi Rama.

Sa i përket asaj se çfarë mund të prodhojë kjo Asamble, pritet që të ketë ndryshime në qeveri, por socialistët e kanë të vështirë të japin një përgjigje konkrete duke thënë se “vendimi është në dorë të kryeministrit Rama”.