Saturday , September 19 2020

Nuk ka nevojë për pajisje laboratorike. Gati testi i shpejtë për COVID-19

Kompania zvicerane e farmaceutikës ‘Roche’ ka njoftuar se do nisë prodhimin e një testi të shpejtë për të zbuluar COVID-19, i cili do japë rezultate për 15 minuta. Testi për antigjenet e COVID-19, do të jetë në dispozicion për vendet që njohin markën CE, që është e detyrueshme për produktet që hyjnë në tregun e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu kompania farmaceutike Roche dëshiron të kërkojë aprovim urgjent nga Agjencia e Zbatimit të Barnave në SHBA (FDA), transmeton Telegrafi. “Ky test mund të ndihmojë profesionistët e kujdesit shëndetësor të identifikojnë infeksionin e coronavirusit tek njerëzit që mendohet se janë bartës të virusit dhe rezultatet janë të gatshme për 15 minuta”, njoftoi Roche.

Gjithashtu është bërë e ditur se këto teste të shpejta do të jenë të përballueshme, megjithëse nuk është specifikuar çmimi. Ata theksuan se ato nuk varen nga pajisjet teknike laboratorike që do të thotë se do të jenë në gjendje të përdoren në mjedise ku do të kërkohen prova të shpejta dhe masive.

“40 milionë teste të shpejta të coronavirusit do të jenë në dispozicion çdo muaj. Ky kapacitet do të dyfishohet deri në fund të vitit”, shkruan më tutje në njoftim. Ndryshe, 25.4 milionë njerëz në botë raportohet se janë infektuar me COVID-19.