Sunday , September 27 2020

Vjehrri i deputetit socialist u hodh mbrëmë nga Spitali COVID 2, flasin mjekët dhe mbesa e viktimës

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen tragjike të mbrëmjes së djeshme në Spitalin Infektiv “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, ku një 65-vjeçar ndërroi jetë pasi u vet-hodh nga kati i katërt ku ishte shtruar. Bëhet me dije se janë marrë në pyetje disa familjarë dhe mjekë, që kanë ndjekur rastin e 65-vjecarit nga Klosi, të identifikuar si Hasan Miri, i cili mësohet se është edhe vjehrri i deputetit Gjetan Gjetani.

Disa nga mjekët që i kanë shërbyer viķtimës kanë deklaruar pranë grupit hetimor se Miri, ka shfaqur ditën e sotme, sjellje jo të qëndrueshme dhe të rënduar psikologjike.

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe mbesa e Mirit, e cila shprehet se, ai që kur e kishte marrë vesh që ishte pozitiv me Covid-19 ishte rënduar së tepërmi psikologjikisht, gjë që çoi edhe në ndërmarrjen e këtij veprimi fatal për jetën.

Miri, vetëm para dy ditësh kishte rezultuar i infektuar me Covid-19 dhe ishte shtruar në Sanatorium, nga ku dhe u vet-hodh. 65-vjeçari ishte në terapi intensive dhe nuk kishte sëmundje të tjera bashkëshoqëruese. Ngjarja e rëndë e mbrëmjes së djeshme, pason atë të 13 gushtit, ku një i ri në gjendje të rënduar psikologjike, u hodh nga ky spital dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.