Sunday , September 27 2020

Nëse infektohet një nxënës apo mësues me Covid-19, cila është zgjidhja që propozon Pipero?

Mjeku Pëllumb Pipero nuk mendon se mbyllja e shkollës, në rast se mund të ketë një rast pozitiv me Covid-19, është zgjidhja optimale. Përkundrazi, ai nuk e sheh si zgjidhje mbylljen e institucionit, por gjurmimin e rastit dhe izolimin e tij. I ftuar në programin “Rudina”, mjeku Pipero, pasi foli për gjendjen e koronavirusit në vend, u ndal edhe te hapja e shkollave të hënën.

Entuziast për fillimin e shkollës më 14 shtator, mjeku i njohur infeksionist tha se “hapja e shkollës është një lajm shumë i mirë. Unë kam qenë pro hapjes së shkollës, madje i përmbahem thënies ‘hapja e shkollave është hapje e shoqërisë’”,- tha Pipero duke theksuar se kjo do të shoqërohet me një protokoll të rreptë e bazik nga të gjithë aktorët, me qëllim që të shmanget përhapja e infeksionit.

Po në rast se raportohet një rast me Covid-19 në shkollë?

Mbyllja e shkollës, sipas Piperos, në një rast si ky, nuk është zgjidhje: “Të mos nxitojmë në këtë pjesë, sepse, nëse në shkollë na del një rast pozitiv ndaj Covid-19, nuk është zgjidhje mbyllja. Nuk duhet të mbyllet shkolla, por duhet të gjejmë mënyrat për të izoluar rastin dhe familjen pa ndërprerë procesin”, – shtoi më tej Pipero.

Ai përsëriti edhe një herë kujdesin e shtuar që duhet të kemi gjatë kësaj kohe, këshilloi prindërit që të punojnë fort me fëmijët e tyre, në mënyrë që t’i bindin ata për të respektuar me përpikëri rregullat strikte për sigurinë e shëndetit të tyre dhe të familjarëve: “Prindërit duhet të punojnë me fëmijët, t’i kritikojë fëmijët pa i stresuar. Nëse tregoni kujdes për duart, për bankën, nëse respektoni orën e mësimit, pushimet gjithashtu, nëse zbatoni rregullat dhe kufizoni aktivitetet, çdo gjë mund të vijojë normalisht”, – u shpreh Pipero.