Wednesday , October 28 2020

10-fishimi i gjobave për shoferët, ekspertët: Nismë pozitive, por përpara zbatimit nevojitet diçka tjetër!

Ministria e Brendshme i ka dorëzuar Kuvendit një draft ku parashikohen shumë ndryshime në Kodin Rrugor, të cilat rrisin masën e gjobave për disa shkelje të rënda siç është tejkalimi i shpejtësisë, por edhe lehtësojnë drejtuesin e makinës për shkelje më të lehta. E teksa drejtuesit e automjeteve nuk i komentojnë këto ndryshime, ekspertët i shohin si një hap pozitiv për kodin rrugor, por theksojnë se para miratimit, duhet të njihen nga drejtuesit e automjeteve dhe nga këmbësorët.

“Është një nismë pozitive dhe është përgatitur drafti që do të kalojë në Parlament. Por mendoj që para se të kalojë të bëhet një sensibilizim i opinionit publik, me qëllim që ky ndryshim që do të kalojë në Parlament të njihet nga përdoruesit e rrugës. Në rast se ky draft i përgatitur nga specialistë të fushave përkatëse, nuk do të ketë efekt pozitiv në rast se nuk i paraprin një fushate sensibilizuese”, tha eksperti i Sigurisë Rrugore, Islam Qibini.

Ekspertët, ndër të tjera shprehen se këto ndryshime do të kenë efekt nëse policia rrugore do t’i zbatojë me përpikmëri dhe jo në mënyrë selektive.  “Kjo do të ketë ndikim, por nuk do të ketë efikasitetin e duhur në rast se Policia Rrugore nuk do të kërkojë zbatimin e rrepë të Kodit Rrugor”, tha ai.

Drafti i ri parashikon që gjobat të variojnë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë nëse përdorni telefonin teksa jeni në timon, po ashtu edhe për mos-vendosjen e rripit. Ndërkohë për të njëjtat shkelje në Kosovë dhe  Maqedoninë e Veriut masa ndëshkuese me gjobë është 40 euro.