Saturday , September 26 2020

Plagjiaturë në Doktoraturë? Reagon Evis Kushi: Kur e mora në Stafforshire University mendova…

Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi ka reaguar pas disa zërave se doktoratura e saj është plagjiaturë.  Studiuesi Vladimir Kola ka publikuar një artikull shkencor të ministres së re të Arsimit, Evis Kushi dhe pretendon se 70 % e artikullit është plagjiaturë. Ministrja e re e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, duke falënderuar për mesazhet e shumta inkurajuese për detyrën e re, theksoi sot se:

 “Kur mora doktoraturën në Stafforshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh”, – nënvizoi Kushi.

Ndërkohë edhe gjatë prezantimit që i bëri dje, kryeministri Edi Rama, për ministren e re të Arsimit u shpreh i bindur se doktoraturën nuk e ka plagjiaturë se e ka bërë në Angli, por ministrja siç duket paska “kopjuar” për një artikull shkencor.

“Kemi garancinë që Evis Kushi, që do të marrë stafetën, nuk është subjekt i plagjaturës se doktoraturën e ka bërë në Angli, është si me provë si të thuash.” tha Rama.

Më tej në reagimin e saj , ministrja Kushi tha se, “ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar. Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme”.

Ministrja e re Kushi u shpreh se “uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve”

Top Channel