Saturday , October 24 2020

Del njoftimi; Plotësoni formularët që të merrni pagën e luftës, ja sa ditë kanë mbetur nga afati

Afati i fundit për të gjithë personat që nuk kanë plotësuar dokumentacionin për marrjen e pagës së luftës është data 25 shtator. Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha për Euroneës Albania se 1500 personat që nuk kanë mundur ende ta përfitojnë pagën e luftës janë njoftuar vazhdimisht nga ana e tatimeve që të plotësojnë numrin e llogarisë bankare, e vetmja problematikë që i ka bërë ata të mos jenë përfitues si 238 mijë të tjerët që e kanë marrë këtë pagë.

Teksa kujtoi se nga ana e tatimeve u shty me një muaj koha e lënë në dispozicion të këtyre individëve për të plotësuar dokumentacioni, znj. Ibrahimaj paralajmëroi se afati i fundit për të aplikuar është data 25 shtator.

“Buxheti ka procedura, ndaj në një moment ky proces duhet përmbyllur”, tha drejtoresha e Tatimeve.

E pyetur lidhur me numrin e bizneseve të mbyllura gjatë periudhës së pandemisë, znj. Ibrahimaj solli shifra të cilat sipas saj, vërtetojnë se numri i bizneseve të mbyllura apo që kanë kaluar në statusin pasiv në periudhën janar-qershor për 2020 është më i vogël se i atyre të mbyllura apo që kanë kaluar në statusin pasiv për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo theksoi se gjatë pandemisë nuk ka pasur një shtim të mbylljes së aktiviteteve, por ka pasur një reduktim të punësim tek biznesi i madh. “Ka pasur një reduktim me 14 mijë persona të punësuar në biznesin e madh. Kjo vjen në sektorë të shërbimit që lidhe me kontrata porositëse me biznese jashtë që kanë reduktuar punësimin”, tha znj. Ibrahimaj.