Tuesday , October 27 2020

Ministrja e Arsimit me vajzën: E kisha të pamundur të mos bëja një copëz rrugë me të, ja çfarë biseduam

Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi ka filluar javën e dytë si Ministre e Arsimit duke përcjellë vajzën e saj të madhe për në shkollë. Kushi shkruan se e kishte të pamundur të mos bënte një copëz rruge me të deri tek shkolla e saj. Ajo thotë se bashkëbisedoi me Anën për rëndësinë e maskës, distancimit social dhe rregullat që duhet të zbatohen nëpër klasa.

Tashmë Evis Kushi është përgjegjëse për sistemin arsimor dhe ruajtjen e shëndetit në shkolla, prandaj thekson se vetëm me respektimin e çdo mase mund të kalohet kjo sfidë aspak e lehtë.

Statusi nga Evis Kushi

Para nisjes së një jave intensive me angazhimet dhe sfidat e reja, e kisha të pamundur të mos bëja një copëz rrugë deri tek shkolla e saj me një shoqe shumë të mirë timen 😊, vajzën e madhe Ana 🤗.

Bisedova sërish me të mbi rëndësinë e mbajtjes së maskës, ruajtjen e distancës me shoqet dhe shokët e klasës dhe zbatimin e çdo rregulli që ruan shëndetin e saj, nxënësve, mësuesve e gjithë të tjerëve.

Koha që po kalojmë është e pazakontë në çdo aspekt, e në këtë kuadër, nevojitet kujdes shumë më i madh dhe respektim i çdo mase që frenon përhapjen e koronavirusit. Vetëm në këtë formë do të arrijmë të gjithë së bashku ta kalojmë këtë sfidë aspak të lehtë për çdo njeri.

Javë të mbarë të gjithëve! 🤗