Wednesday , October 21 2020

Elbasan-Librazhd, rruga e rrezikshme nga gurët. Në kthesën e Murrashit, probleme sa herë ka reshje

Sa herë ka reshje të dendura shiu, po aq herë probleme në aksin rrugor Elbasan Librazhd në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit. Rënia e gurëve nga shpati i malit është kthyer në një gangrenë për këtë aks rrugor dhe në një rrezik konstant për drejtuesit e mjeteve. Nuk kanë munguar rastet kur rruga është bllokuar totalisht nga rënia e gurëve nga shpati i malit dhe janë dashur disa orë për ta pastruar e për të bërë të mundur lëvizjen normale të mjeteve.

Nuk kanë munguar edhe rastet e aksidenteve, teksa shoferët tentojnë të evitojnë gurët në rrugë krijohen përplasje mes makinave. Disa kohë më parë u tentuar të shembet me dinamit një pjesë e faqes së malit, por edhe kjo zgjidhje rezultoi joefikase.

Për pasojë, derisa të ketë një zgjidhje përfundimtare të problemit në këtë aks rrugor, në këtë pjesë të rrugës drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes sa herë ka reshje, për shkak të rrezikshmërisë së madhe që paraqitet.

Top Channel