Monday , November 30 2020

Covid-19 i merr jetën personalitetit të njohur nga Elbasani

Koronavirusi i ka marrë jetën shkrimtarit nga Elbasani, Dhimo Tarusha. Shkrimtari ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme. Mësohet se Tarusha ishte i shtruar prej disa ditësh në spital, pasi ishte infektuar me Covid 19. Miqtë dhe të afërm të tij kanë shprehur ďhimbjen në rrjetet sociale për humbjen e shkrimtarit.

Novelisti dhe romancieri Dhimo Tarusha u lind e u rrit në një mjedis vllah në Ersekë më 28 dhjetor 1947, më pas fëmijërinë dhe gjithë jetën e tij e kaloi në qytetin e Elbasanit. Tarusha është autor i 20 librave në dy zhanre: në novela dhe në romane. Krahas kësaj ai përfshin në krijimtarinë e tij edhe fushën e monografive letrare dhe jetëshkrimeve për personazhe të shquar të komunitetit vllah e më gjerë.

Në tërë krijimtarinë e tij novelisti e romancieri ka vënë në fokus zhvillimet historiko-sociale, psikologjike e botëkuptimore, në fushën e traditave, zakoneve dhe gjuhës së elementit vllah, duke e lidhur ngushtë me fatet e popullit shqiptar, të shoqërisë shqiptare në përgjithësi me të cilin kjo etni është integruar, duke u bërë pjesë organike, por edhe origjinale dhe e pandarë e saj.