Sunday , December 6 2020

Paketat ndihmëse dhe lehtësitë fiskale, mbështetje për biznesin e vogël. Cfarë deklaroi Balla nga Elbasani?

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut Elbasan, vizitoi sot disa biznese të vogla në këtë qytet, të cilët i informoi mbi nismat fiskale në mbështetje të kësaj kategorie biznesi. Bashkë me kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja dhe Prefektin, Klevis Xhoxhi, Balla zhvilloi takime me bizneset e vogla të rrugëve tregtare të Elbasanit.

Biseda u fokusua mbi situatën e përballjes me pandeminë dhe masat e Qeverisë, që krahas paketave ndihmëse, që miratoi për biznesin gjatë pandemisë, tashmë kemi miratuar edhe lehtësi fiskale për sipërmarrjen.

“Nisma fiskale që hyn në fuqi më 1 Janar 2021 për zerimin e tatim fitimit për bizneset deri në 14 milionë lekë, dhe e TVSH për çdo biznes deri në 10 milionë lekë, është një çlirim për sipërmarrjen. Biznesi i vogël në vend është çliruar plotësisht nga tatim-fitimi dhe TVSH-ja, duke i dhënë një frymëmarrje të re aktivitetit të tyre të përditshëm”, tha Balla.

Ai theksoi se “edhe pse ishte një vit mjaft i vështirë, jo vetëm për biznesin dhe të punësuarit, për gjithë Shqipërinë, kemi arritur përmes masave lehtësuese të zbusim efektet e kësaj krize, që ka mbërthyer gjithë globin”.