Monday , April 19 2021

A ka shtretër të lirë tek spitalet Covid? Pacienti zbret nga ambulanca dhe heq tubin e oksigjenit, ja veprimi i infermierëve

Autoambulanca të parkuara nga hyrja e pasme. Pacientë që presin të lirohet një shtrat. Ankth te qytetarët që kërkojnë përkujdesje për familjarët e tyre. Kjo është panorama që ofron prej disa ditësh spitali “Shefqet Ndroqi”. Pacientët që dërgohen pranë këtij ambienti spitalor trajtohen fillimisht në autoambulanca për disa orë, e më pas akomodohen në dhomat e shtrimit.

Por, ndonjëherë, durimi ka një kufi. Një pacient i moshuar, teksa ishte në ambulancë, vendosi të heqë tubin e oksigjenimit dhe të hyjë vetë në spitalin Covid 2. Si duket, nuk gjeti një shtrat të lirë dhe pas disa minutash personeli mjekësor e pozicionoi sërish në autoambulancë.

Familjarët e pacientëve të rinj thonë se qëndrimi disa orësh në ambulancë është tashmë normal, pasi mjekët u thonë se nuk ka shtretër. Por, të njëjtën gjë nuk e thonë drejtuesit e QSUT.

Teksa pacientët presin në ambulance për t’u trajtuar, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka vizituar ambientet e spitalit Covid 4. E sigurt se hapja e tij mund të shtyhet edhe për disa ditë, ministrja tha se në tri spitalet Covid nuk janë ezauruar shtretërit ende.

Shifrat rekord të të infektuarve kanë detyruar Komitetin e Ekspertëve që të shtrëngojë kufizimet për aktivitetet e ndryshme, ndërsa në pritje mbetet vendimi për një mbyllje apo jo më të hershme se ora 22:00.  /A2