Thursday , January 21 2021

Ja si do të procedohet/ Nis mësimi i kombinuar nga 1 dhjetori, Ministrja Kushi: Përjashtim bëjnë vetëm..

Skenari i mësimit të kombinuar do të nisë të zhvillohet nga data 1 dhjetor 2020 deri në një vendim tjetër, sipas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) prej situatës së krijuar nga përhapja e COVID-19.  Këtë deklaratë e ka bërë ministrja e MASR, Evis Kushi teksa ka thënë se gjatë kësaj periudhe, do të vazhdojë të zbatohet i njëjti program mësimor, të njëjtat plane mësimore e ngarkesa të mësuesve, si dhe rekomandohet të zbatohet orari mësimor që shkollat kanë aktualisht.

“Çdo të premte, shkollat në bashkëpunim edhe me Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, do të raportojnë në Zyrat Arsimore lidhur me situatën e tyre, dhe më pas do të merret vendimi për çdo shkollë për mënyrën si do të zhvillohet mësimi. Ky vendim do të merret nga MASR dhe do të përcillet nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) tek drejtoritë rajonale dhe Zyrat Arsimore përkatëse”, ka thënë ministrja Kushi gjatë deklaratës.

Por çfarë thuhet konkretisht në udhëzimin e ri?

Sipas këtij udhëzuesi:

•Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021;

•Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë:

– Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.

– Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.

•Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.

•Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online.