Monday , April 19 2021

Si kryhet testi i shpejtë për të mësuar nëse je apo jo me Covid? E shpjegon ministrja

Duke filluar që nga kjo e hënë, në të gjithë vendin ka nisur aplikimi i testimeve të shpejta, i cili jo vetëm shkurton kohën e përgjigjes, por njëkohësisht, edhe ul rrezikun e përhapjes së vatrave të infeksionit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka publikuar sot, përmes një videoje, mënyrën se si kryhet ky lloj testimi. Siç demonstrohet edhe në video, një grup epidemiologësh, tregojnë si merret një masë nga sekrecionet e hundës përmes një tamponi, i cili më pas vendoset tek testi. Mjaftojnë vetëm tri pika të një substance dhe përgjigjja del për 15-30 minuta.

“Kjo është një vatër që e kemi hetuar paraprakisht. Kanë dalë 2-3 punonjës pozitivë. Ne ndërmorëm këtë hap për të marrë një rezultat sa më të shpejtë në kohë. Testet e shpejta na ndihmojnë ne në terren për shkëputjen e zinxhirit të infeksionit, hetimin e vatrave. Janë teste që kryhen dhe rezultatet dalin brenda 15-30 minutash. Janë të njohura dhe nga OBSH-ja për efektivitetin”,- thotë një prej mjekeve epidemiologe pas kryerjes së këtij testimi.