Monday , April 19 2021

Trajnim i mbi 1 mijë të rinjve në Elbasan; Çfarë ndodhi sot në Ditën e Rinisë

Bashkia e Elbasanit dhe kompania “Elit travel” organizuan sot një trajnim me mbi 1 mijë të rinj për sa i përket karrierës së tyre në të ardhmen. Një temat e trajtuara ishte edhe fusha e turizmit, e mbështetur edhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, i cili theksoi se “8 Dhjetori, Dita e Rinisë do të duhet të shoqërohet shumë herë më tepër me një thirrje për brezin e ri për t’u trajnuar e për t’u edukuar”.

“Për të kuptuar se kjo Shqipëri e hapur, një Shqipëri që konkurron denjësisht në sektorin e turizmit kudo në botë do të duhet të ketë shumë herë më tepër njerëz të edukuar, njerëz të trajnuar dhe duhet të ketë të rinj, që aspirojnë për tu bërë konkurrentë të fortë në një treg të vështirë”, u shpreh Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “viti 2020 shënoi një vit të vështirë për ekonominë dhe  turizmin jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, por kompani shqiptare si Kompania “Elit travel” ku jemi sot dëshmuan se janë shumë pranë me progresin”.

“Ata shumë shpejt si gjithë kompanitë në fakt të turizmit sot në botë do të kalojnë 100% online dhe do të jenë kompani që në një treg konkurrent do të jenë të barabarta me partnerët e tyre europianë e më gjerë se kaq”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “këta të rinj do të jenë të gatshëm për një karrierë të re që është karriera në turizëm, e cila mendoj që do t’i shërbejë shumë të ardhmes së ekonomisë shqiptare të turizmit”.

Klosi tha gjithashtu se 2021 pritet të jetë një vit shumë i relaksuar për sa i përket pandemisë.