Thursday , January 21 2021

Zgjaten pushimet dimërore, Evis Kushi: Kemi dy data për rifillimin e mësimit në shkolla

Si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia, pushimet dimërore këtë vit do të jenë më të gjata se zakonisht. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e arsimit Evis Kushi, gjatë një interviste për ABC News. Edhe pse ende nuk ka një datë zyrtare, ministrja tha se po diskutohet nëse do të jetë 11 apo 18 janari data e rikthimit në shkolla pas pushimeve me rastin e festave.

“Pushimet dimërore do të jenë pak më të gjata këtë vit, sepse në fillim të vitit shkollor u parashikua që më datë 4 janar fillon tremujori i dytë. Në fakt, ne në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Komitetin e Ekspertëve kemi menduar që të zgjatet kjo periudhë. Akoma nuk e kemi vendosur nëse do të jetë 11 apo 18 janari fillimi i shkollës.

Por shumë shpejt, gjatë ditëve të para të javës do ta kemi këtë vendimmarrje. Ne jemi në komunikim të ngushtë me ta dhe do të donim që studentët të rikthehen sa më shpejt në auditore, por kjo është një pandemi globale dhe mësimi në gjithë botën po zhvillohet online”, -u shpreh ministrja. Kushi theksoi se dinamika e pandemisë do të ndikojë në vendimmarrje.