Thursday , January 28 2021

A do të ketë ndryshim të orës policore gjatë festave? Flet specialistja Eugena Tomini

Specialistja e ISHP dhe anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Eugena Tomini ka komentuar ecurinë e pandemisë Covid-19 në vend, ndërsa ka apeluar të tregohet kujdes dhe të respektohen me rigorozitet masat e vendosura. Sipas Tominit, masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve po japin frytet e tyre të para, të cilat po shihen në uljen e pozitivitetit.

Ndërkaq, Tomini ka përmenduar se në fund të kësaj jave do të bëhen publike masat që priten të merren për festat e fundvitit, duke marr parasysh edhe ecurinë e pandemisë në vend.

Eugena Tomini: “Duke vlerësuar situatën e ndërhyrjeve duke filluar nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht që flasim, masat ndërhyrëse duke përfshirë edhe vendosjen e maskës në ambjentet e jashtme, sigurisht që po jep efektet e saj.  Çdo masë ndërhyrëse ka një interval kohor për të parë uljen e pozitivitetit apo incidencës së rasteve. Për të parë numrin e rasteve të cilët hospitalizohen dhe të rasteve që kërkojnë terapi intensive.

Tre këta indikatorë, janë vënë re që të paktën në 48 orët e fundit kanë treguar ulje në vlerat e tyre. Mesa shihet, është një ndikim i drejtëpërdrejtë i masave ndërhyrëse për minimizimin e transmetimit të virusit, qoftë me ndërhyrjen për maskat në ambjentet e jashtme, qoftë edhe për masën e grumbullimeve masive, pavarësisht se në disa momente dhe aktivitete ajo është thyer, por në tërësi masat kanë treguar efektivitet që po shihet në uljen e pozitivitetit”.

Sa i përket festave të fundvitit, që mund të shoqërohet me lëvizje të shumta dhe mosrespektim të rregullave anti-Covid, Tomini u shpreh se: “Ekspertët e Komitetit Teknik mblidhen në mënyrë të përditshme, sistematike, dhe ndërkohë rrahja e mendimeve apo vlerësimi i situatës bëhet tepër dinamik. Duke qenë se jemi në javën e fundit të parafillimit të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, sigurisht që monitorimi do të bëhet sërish në mënyrë sistematike.

Deri në përfundim të kësaj jave, duke vlerësuar situatën dhe vlerësimin e të gjithë kritereve epidemiologjikë, do të bëhen rekomandimet bazë për ecurinë e festave. Por është shumë e rëndësishme të festojmë brenda familjeve tona të vogla dhe të krijojmë atë atmosferën e festave edhe duke blerë dhurata, por me kujdesin që duhet. Edhe duke festuar në kushtet e shtëpisë për të mos favorizuar grumbullime masive“.

Mund të ketë një ndryshim të orës policore gjatë festave të fundivitit?

Eugena Tomini: “Ekspertët mblidhen në mënyrë sistematike. E vlerësojnë situatën pavarësisht se duhet të theksohet që në 48 orët e fundit kemi një rënie pozitive, kemi rënie të rasteve të hospitalizuara, aktualisht 1,6% e rasteve kanë kërkuar shërbim spitalor ndërkohë vetëm 8.9% e tyre kanë kërkuar shërbim reanimator. Duket një rënie e lehtë, gjithësesi situata po monitorohet”./Opinion.al