Monday , January 18 2021

Duke nisur nga 1 janari do të rriten pagat, por cilat janë kategoritë që përfitojnë?

Ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj ka folur për herë të parë për rritjen e pagave duke nisur nga 1 janari 2021. Stafi mjekësor dhe më tej mësuesit do të jenë në fokusin e rritjes së pagave për 2021-in. “Nëse flasim që fondi i pagave është 40% e pagës në funksion, në situatën që jemi dhe shumë vende nuk kanë rritur pagat, sigurisht është e guximshme. E mjaftueshme.

Buxhete si ky në vendin tonë ka nevojë më shumë, por lidhet shumë me të ardhurat. Dhe raporti i guximit është i lidhur drejtpërdrejt me realizimin e të ardhurave. Të ardhurat e këtij buxheti janë më të larta se ato të vitit 2020 por janë 3.7% më të larta se 2019”, tha Denaj.

Në një intervistë në emisionin “Ekopolitikë”, Denaj pranoi se nga buxheti i shtetit janë parashikuar fonde shtesë për vaksinën anti-Covid dhe rritje të pagave të stafit mjekësor. Sipas saj, në planin e ndihmave do të jetë edhe biznesi i vogël.

“Biznesi i vogël ka qenë i targetuar si në paketën e parë dhe të dytë, edhe në politikë fiskale lehtësuese për 8 vite. Ne do të na mungojnë në arkën e buxhetit të shtetit, vitin që vjen, 5 miliardë lekë”.

“Nga rritja e pragut të TVSH-së, nga 2 milionë në 10 milionë dhe nga zerimi i tatim-fitimit. Janë 5 miliardë që do të shkojnë për individë që menaxhojnë biznese të vogla dhe përfitojnë nga secila fazë. Nëse kthen punonjës në punë, të cilët janë larguar nga Covid-19, marrin gjysmën e pagës minimale, e cila nuk do të jetë 26 mijë por 30 mijë lekë nga 1 janari”.

“Këto janë dy elementë skemash që i aprovuam në korrik dhe kjo është pjesë e një plani të targetuar për t’iu kthyer sadopak ndihmës së biznesit,” – tha Anila Denaj.