Monday , April 19 2021

Miratohet testi i parë pa recetë për COVID-19, mund ta përdorni në shtëpi. Ja si aplikohet

Një kompani me qendër në Australi po përgatitet të shpërndajë testin e parë për COVID-19 pa recetë që mund të përdoret në shtëpi, pasi siguroi të martën autorizimin e përdorimit urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e Shteteve të Bashkuara. Testi i kompanisë Ellume ofron një tampon nga hunda që mund të lidhet me një pajisje në telefonin inteligjent dhe që u jep përdoruesve rezultatet për 20 minuta.

Kompania bëri publike pamjet e testit që po prodhohej, të demonstruara në një laborator, si dhe pamjet nga një udhëzues që vjen me kompletin e testimit.

Gjithkush mbi moshën dy vjeç, përfshirë ata që nuk shfaqin simptoma, mund të bëjë testin, tha FDA-ja.

Lajmi pason autorizimin e testit të parë me recetë për COVID-19 për përdorim shtëpiak muajin e kaluar dhe të një sistemi testimi pa recetë që lejon një laborator të përpunojë mostrat e hundës të marra në shtëpi, javën e kaluar.

Miratimi do të ndihmojë në zgjerimin e qasjes së amerikanëve tek testimet, lehtësojë barrën e laboratorëve dhe testeve dhe do të ofrojë më shumë mundësi testimi, tha Komisioneri i FDA-së, Stephen Hahn në një deklaratë. Gjithsesi agjencia, paralajmëroi që ashtu si me teste të tjera, një përqindje e vogël e rezultateve mund të jenë të pasakta.

Kompania Ellume tha se do të dërgojë mbi 100,000 teste në ditë që nga janari 2021 dhe planifikon të prodhojë, si dhe të dorëzojë 20 milion teste për COVID-19 në Shtetet e Bashkuara brenda gjysmës së parë të vitit 2021./voa/