Monday , January 18 2021

Qendër e re shëndetësore për 2500 banorë në Cërrik me një teknologji shumë e re që nuk është përdorur më parë

 Një qendër e re shëndetësore është tashmë në dispozicion të 2500 banorëve të fshatit Gjyrale dhe zonave përreth të Bashkisë Cërrik. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla vizitoi sot ambientet e kësaj qendre e cila u ndërtua brenda dy muajve. “Falë dashamirësisë së Emirit të Kuvajtit dhe bashkëpunimit me Ambasadën e Kuvajtit në Tiranë, ndërtuam pesë qendra shëndetësore të reja në Qarkun e Elbasanit, një ndër to për 2500 banorët e këtij fshati. Mirënjohje miqve të Shqipërisë në këto kohë të vështira”, tha Balla.

Balla tha se “në Gjyrale kemi ndryshuar qartësisht qasjen që ka pasur qeverisja vendore”. “Dukej sikur Gjyralja kishte mbetur si pasdore prej disa vitesh, por besoj se ky është një prej disa investimeve që ne do t’i vazhdojmë falë bashkëpunimit me qeverinë kuvajtiane dhe ambasadën”, tha ai.

Balla theksoi se “qendra shëndetësore është shumë moderne me materiale shumë të sigurta që i rezistojnë kohës”.

“Një teknologji shumë e re që nuk është përdorur më parë dhe që padyshim po përdoret në këto projekte. Do të vazhdojmë edhe me shumë projekte të tjera. Në kushtet e kësaj beteje dhe kësaj lufte me këtë armik të padukshëm, por që po merr jetë, duhet të vazhdojmë të ruajmë kujdesin, distancat, higjienën. Falënderoj mjekët për këtë punë të shkëlqyer që po bëjnë në dobi të mbrojtjes së jetës”, tha ai