Monday , April 19 2021

Festat e fundvitit/ Komiteti i Ekspertëve mbledhje urgjente, shtrëngon masat. Manastirliu: Ora policore nis…

Në një komunikim përkrah Komitetit Teknik të Ekspertëve, për masat gjatë fundvitit, sa i takon kufizimit të përhapjes së COVID19, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se do të ketë orar kufizues nga ora 20:30 deri në orën 06:00, për një periudhë të caktuar kohore. Kufizohet lëvizja e qytetarëve dhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri më datë 4 Janar, për të kufizuar përhapjen e COVID19 në periudhën e festave të fundvitit. Gjithashtu pezullohet fluturimet me Britaninë e Madhe, pas informacioneve për mutacionin e virusit Sars Cov2.

Vendimet për marrjen e masave të shtuara në mbrojtje të shëndetit publik nga infeksioni Sars-Cov2, u bënë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspetëve, të zhvilluar sot.

“Nga të dhënat e deritanishme të Qendrës Europiane të Kontrollit të Sëmundjeve, mbi variantin e ri të Sars-Cov 2, të identifikuar në Britaninë e Madhe, e cila gjatë javëve të fundit është përballur me një rritje të shpejtë të rasteve me Covid19, jemi informuar se autoritetet e Britanisë së Madhe dhe vendet e BE po vijojnë kryerjen e hetimeve të tjera epidemiologjike, për të vlerësuar më tej impaktin e këtij variant të ri të Sars-Cov 2. Por nga vlerësimi paraprak i ECDC, ky mutacion i ri i Sars-Cov 2 është në mënyrë të konsiderueshme më i transmetueshëm se variantet që kanë qarkulluar më parë. Sa më sipër, kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe, duke filluar nga ora 06:00 e ditës së martë, datë 22 Dhjetor, deri në datë 06 Janar. Po ashtu vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që hyjnë nga Britania përmes rrugëve të tjera. Vendosja e izolimit të detyrueshëm 14 ditor vjen si një masë paraprake”, tha Manastirliu.

Duke parashtruar situatën e epidemisë në vend dhe rrezikut të përhapjes së infeksionit në periudhën e festave për shkak të shtimit të kontakteve dhe grumbullimeve, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije vendimet e fundit:

“Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania. Prej datës 5 Janar kufizimi i levizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim. Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery. Prej datës 5 Janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00”, tha Manastirliu

Duke kërkuar dhe rekomanduar për të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore, Ministrja e Shëndetësisë apeloi për kujdes gjatë festave dhe të festohet vetëm me familjen e vogël.