Monday , April 19 2021

“Nuk ndjeja më kënaqësi”, Xhemi Shehu flet për marrëdhënien me bashkëshortin dhe spektaklin

Prej vitesh moderatoren shqiptare Xhemi Shehu u mësuam ta shihnim në spektaklin e humorit ‘Portokalli’. Largimi i saj nga ky show bëri bujë të madhe, ndërsa ajo nuk zgjodhi të komentonte këtë vendim në nisje të sezonit.  Sakaq, ajo ka folur për herë të parë arsyet që nuk është më pjesë e spektaklit të humorit e madje ka rrëfyer se nuk do të jetë më pjesë e ekranit shqiptar, vetëm nëse ndodh ndonjë çudi e madhe.

Sheu tha se nga ‘Portokalli’ nuk merrte më kënaqësi, ndërsa tani do të vijojë t’i përkushtohet bashkëshortit dhe dy djemve. “Kam bërë edhe programe të tjera, që nuk është se më kanë ngjallur ndonjëfarë interesi ose më kanë dhënë ndonjë kënaqësi. I kam bërë se duheshin, por jo nga pasioni apo dëshira. I bëja, sepse doja të rikthehesha në ‘Portokalli. Prandaj dhe u tërhoqa nga ‘Portokallia’ sepse s’po merrja më kënaqësi,  dhe prandaj po them duhet të ndodhë ndonjë çudi që unë të rikthehem prapë, gjithmonë në një format të ngjashëm me ‘Portokalli’-në.

Nuk kam fare ambicien që të bëj programe të tjera. Kështu që me shumë gjasa i bie që unë jam tërhequr dhe e kam mbyllur njëherë e mirë me televizionin, sepse nuk është se mendoj se do bëhet diçka po aq e mirë sesa ‘Portokalli’-a dikur, sepse kjo që po shohim tani nuk mendoj se është maksimumi i atij spektakli. Ose mbase dhe është ezauruar dhe me kohën… Nuk e di, nuk di çfarë të them, por nuk më tërheq më”., ka treguar ajo.

“Po, ika si mami e dy djemve dhe për këtë jam shumë e lumtur, sepse nuk është se puna më mbajti peng që të zhvilloja jetën time. Krijova familjen, që mendoj që është gjëja më e rëndësishme në jetë dhe puna i shërben asaj. Nuk është se kam sakrifikuar gjërat më thelbësore në jetë për hir të punës”, ka thënë Xhemi në një intervistë ekskluzive për revistën ‘Who’.

Gjithashtu Xhemi ka zbuluar më shumë për marrëdhënien me të shoqin, Visin, për të cilin thotë se është shumë më i butë se ajo me fëmijët. “Oooo unë jam xhandari i shtëpisë, nuk e dua këtë rolin, por mua ma kanë lënë. Visi është shumë i urtë me fëmijët, nuk para u bërtet dhe mirë bën, se në përgjithësi në çift njëri duhet të jetë më i rreptë se tjetri, njëri duhet të hapë rrugë. Unë nuk hap rrugë, nuk e di pse jam kështu. Bëhem pishman pasi bërtas dhe mundohem që ta korigjoj, duke i marrë me të mira”.

“Nuk jam një mama që llastoj fëmijët, dua që të rriten me këmbë në tokë, dua që të rriten me JO-në, dua që fëmijët e mi t’i fitojnë gjërat vetë, nuk dua që t’ua jap gati, sepse në jetë asgjë nuk të vjen gati. Duhet të impenjohesh për çdo gjë dhe me këtë frymë dua t’i rris, që nesër pasnesër mos të zhgënjehen, sepse unë dhe Visi s’do jemi gjithmonë pranë tyre”.