Monday , April 19 2021

Rregullat e reja/Personat që lejohet të udhëtojnë drejt Greqisë dhe kushtet që duhet të plotësojnë

Shefi i Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë, Vilson Dine ka sqaruar se kush janë kategoritë e personave që lejohen të udhëtojnë drejt Greqisë, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë. Gjithashtu sqaroi se orari i funksionimit të Kakavijës është çdo ditë nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa kamionët lejohet të kalojnë në harkun kohor 06:00-20:00.

Aktualisht lejohen të udhëtojnë drejt shtetit grek shtetasit:

Grek; Shqiptarë me leje qëndrimi greke; Shtetasit minoritarë të pajisur me kartën e veçantë; Trupi diplomatik për arsye pune; Shtetas shqiptarë të pajisur me autorizim të veçantë nga përfaqësitë diplomatike greke, për arsye pune apo shëndetësore; Të gjithë drejtuesit e kamionëve dhe furgonëve që transportojnë mallra;

Kjo kategori duhet të plotësojë kushtet si më poshtë:

Të ketë plotësuar më parë dhe të ketë të printuar formularin PLF (Passanger Locator Form) në adresën elektronike  www.travel.gov.gr; Të ketë test PCR me rezultat negativ, në gjuhën angleze me të dhënat personale dhe numrin e dokumentit të udhëtimit.

Sqarojmë se sipas një vendimi të Qeverisë Greke të muajit dhjetor, të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Shqipëri dhe kanë leje qëndrimi greke të cilës i ka mbaruar afati, duhet të pajisen me një vërtetim nga Konsullata/Ambasada greke në Shqipëri me qëllim që të lejohet të kalojnë kufirin në palën greke. Dalja nga Republika e Greqisë dhe hyrja në Republikën e Shqipërisë është e lirë dhe pa kufizime, por të gjithë shtetasit që duan të udhëtojnë drejt kësaj Pike Kalimi duhet të dinë se orari i funksionimit është çdo ditë nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa kamionët lejohet të kalojnë në harkun kohor 06:00-20:00.

Marrëdhëniet me autoritetet policore dhe doganore greke kanë qenë shumë të mira dhe komunikimi me ta ka qenë i vazhdueshëm për zgjidhjen e problematikave të ndryshme dhe shmangien e problematikave në P.K.K, si dhe shkëmbimin e informacioneve për problematika e veprimtari të ndryshme.

Vlen të theksohen rastet e shkëmbimit të informacioneve ditore për fluksin e lëvizjen e emigrantëve të paligjshëm drejt Shqipërisë apo shkëmbimit të informacioneve me Drejtorinë e Janinës për ndjekje në kohë reale të aktiviteteve ĸriminale nëpërmjet kufirit. Gjithashtu, marrëdhëniet me autoritetet doganore shqiptare kanë qenë shumë të mira, kryesisht në shkëmbimin e informacionit reciprok, kontrolleve të përbashkëta dhe analizave të përbashkëta të riskut për veprimtari të palejuara.