Monday , January 18 2021

‘Fenomeni’ Tire/ Rama reagon për herë të parë: E vetma gjë që më ka pëlqyer në atë ngjarje….

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për skandalin e publikuar në emisionin ‘STOP’, ku Tire Alldervishi, sanitare, hiqej si infermiere dhe i zhvati përmes mashtrimin një qytetare që kishte nënën e sëmurë me koronavirus, rreth 8 milionë lekë.

 “Një mesazh mbi aktin e shëmtuar të sanitares së ekspozuar nga gazetarët investigativë të emisionit STOP, të cilët meritojnë falenderim e respekt për kontributin e tyre në prangosjen e një personazhi të turpshëm, që në asnjë mënyrë nuk mundet ta përbaltë trupën e denjë të bluzave tona të bardha – çdo pyll ka derrat e vet, po kurrësesi ata që abuzojnë me bluzën e bardhë nuk janë shumica dërrmuese e mjekëve dhe infermierëve të përkushtuar shqiptarë🙏 “, shkruan Rama në ‘Facebook’.

Gjatë një takimi në qendrën e Re Shëndetësore Nr.1, Tiranë, kreu i qeverisë theksoi se është i keqardhur për historinë e sanitares që sipas tij cenon imazhin, punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve.

“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët dhe sidomos ata që punojnë në kushte siç punoni dhe ju para pak kohësh. Patjetër në këtë situatë kaq dramatike, jam shumë i keqardhur për atë historinë e asaj sanitares që faktikisht cenon imazhin, punën e jashtëzakonshme të mjekëve dhe infermierëve dhe krijon perceptimin që këtu është një mënyrë të punuari e shumë njerëzve apo është pjesë e sistemit të punës. Realisht e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë”, pohoi Rama në prani të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.