Monday , March 8 2021

Mutacioni i ri i COVID/ Në pritje të rezultatit nga Berlini, do të kemi kufizim të orës policore…

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini deklaroi sot se mostrat e dyshuara me mutacionin e ri të COVID-19 janë dërguar në Berlin dhe jemi në pritje të rezultatit. Në një intervistë televizive, Tomini tha se, “që nga momenti i konstatimit të qarkullimit të mutacionit të ri të COVID-19, strukturat kanë qenë në një shkallë më të lartë alerti për të identifikuar rastet”.

Sipas saj, Laboratori i Virologjisë po detekton kryesisht mostrat tek moshat e reja. “Ditët e fundit kemi një rritje të numrit të riinfektimeve në grupmoshat e reja. Këto janë sinjale të mirëfillta drejt qarkullimit të mutacioneve COVID-19 në vend”, – theksoi Tomini.

Zëvendësministrja Tomini tha se, “mostrat e dyshuara përtej këtyre sinjaleve nuk janë konfirmuar përkundrejt COVID-19, por presim diagnozën përfundimtare nga sekuencimi i këtyre mostrave në laboratorin e referencës”.

E pyetur nëse po diskutohet rimbyllja e Shqipërisë, Tomini tha se, “ka patur një lloj sensibilizimi edhe për maskën, edhe për protokollet e sigurisë, ka qenë marrëveshje ndërgjegjësimi mes strukturave dhe institucioneve monitoriuese. Nëse nuk do shihet ky zbatim i protokollit, do të ndërveprohet me gjoba administrative ndaj tyre. Nëse nuk do të kenë efekt, është pika e fundit drejt kufizimeve”

Zv.ministrja Tomini tha se “mund të kemi kufizim të orës policore, me variante të ndryshme”. “Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri thirrje për sensibilizim, për zbatim rigoroz të masave, që janë masa të vogla që duhen respektuar nga të gjithë si maska, mbajtja e distancës dhe larja e duarve”, – tha Tomini.

Në lidhje me procesin e vaksinimit, Tomini tha se, “po vijon me grupet e rriskut, personeli shëndetësor, mjekë dhe infermierë. Ardhja e vaksinave ‘Pfizer’ do të përvijojë edhe me gërshetimin e vaksinimit të grupeve të riskut që janë grupet mbi 75 vjeç bashkë me personelin shëndetësor”.