Tuesday , March 9 2021

Pas infektimit me covid vjen deklarata e papritur e Pëllumb Piperos: Deri në fund të marsit duhet patjetër të…

Përkeqësimi i situatës nga pandemia duhet të shoqërohet me të tjera masa shtrënguese. Infeksionisti i njohur Pëllumb Pipero rekomandon mbylljen e të gjitha shkollave dhe lokaleve deri në fund të marsit. Ndërsa në transportin publik, numri i udhëtarëve duhet të jetë i limituar sipas protokolleve të shëndetësisë.

“Deri nga fundit i marsit masat duhet të ishin më të shtrënguara, orari i kafeneve më i shkurtuar, të mos shërbehet në tavolina, por “delivery”. Shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm të ishin mbyllur deri në fund të marsit. Edhe pse nuk është zgjidhje e problemit, është zgjedhje e detyruar për nga ritmet e pandemisë pasi nuk janë kështu vetëm në vendin tonë”, u shpreh Pëllumb Pipero.

Pasi e kaloi jo lehtë koronavirusin, mjeku i spitalit Covid-1 tregon për A2 se kjo periudhë është mjaft e vështirë. Përhapja e virusit po favorizohet edhe nga temperaturat e ulëta, ndërsa thekson se të rinjtë janë me indiferentët ndaj respektimit të masave.

Pipero tërheq vëmendjen se këto javë, krahas rritjes së infektimeve, janë shtuar humbjet e jetës edhe tek moshat e reja. “Kemi raste të shtuara të sëmundjes dhe forma të rënda dhe humbje të jetës dhe tek moshat e reja. I këshilloj të jenë të kujdesshëm që do të thotë të mbajnë maskë, distancë dhe higjienë. Edhe një lutje kam për ta, të frekuentojnë sa më pak, kafenetë dhe mjediset e mbyllura”, shtoi ai.

I komentuar jo pak edhe nga kolegë të tij, mjeku Pipero tregon vendin se ku u trajtua ndaj koornavirusit. “Kam kaluar një formë nga e lehtë në të mesme të kësaj sëmundje. Kam pasur shumë pagjumësi dhe ankth për të cilat kam pasur ndihmën e kolegëve të mi. Jam trajtuar në shtëpi dhe jo jashtë vendit”, tregon mjeku.

Ashtu siç do person që e ka kaluar jo lehtë koronavirusin edhe Pipero thotë se do t’i duhen së paku 12 javë për të rimarrë veten. Të hënën do të rikthehet mes pacientëve në spitalin Covid-1 ndërsa ka vendosur të marrë dozën e dytë të vaksinës, pavarësisht antitrupave që mund të ketë krijuar pas sëmundjes.