Sunday , April 18 2021

Balla prezanton kandidatët në Elbasan: Një ekip puro elbsanllinj

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste, për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla prezantoi para Asamblesë Socialiste të Elbasanit kandidatët e skuadrës së PS që do të garojnë në bashkinë e qytetit në zgjedhjet e 25 Prillit. Fjalën e tij Balla e nisi me incidentin e djeshëm në Elbasan, por edhe për shkeljet e masave anti-codiv që kreu i PD bën gjatë takimeve të tij me banorët.

“Shqiptarët po shohin, kanë parë dje kanë parë pardje po shohin sot qasjen e vërtetë të Lul Bashës ndaj shqiptarëve. Del Luli në Lezhë e Kavajë me aq sa ka shtrydhur tashmë PD për ti bërë karshillik kujt? Atyre që janë duke luftuar me covidin dhe për jetën në spitalin covid1, covid 2, covid 3, në Spitalin Rajonal të Elbasanit? Atyre po i bën karshillik?”, tha Balla.

Sipas Ballës populli i mençur shqiptar vlerëson më shumë forcën e shtetit e ligjin dhe për të dallimi më i madh mes PD dhe PS është pikërisht qasja kundrejt ligjit. Sa i përket ekipit të PS, në Elbasan Balla tha se kurrë në 30 vite PS nuk ka dalë më një ekip puro elbsanllinj si ky që është sot. Ai shton më tej se do të vazhdojë të luftojë për ti dhënë Elbasanit në Tiranë, në Parlament, në qeveri vendin që i takon.

Në fund Balla tha se beteja e tyre nuk është as me PD as me LSI, por me pritshmëritë që kanë kanë qytetarët e Elbasanit nga PS.

“Nuk kanë dyshim qytetarët e Elbasanit që çdo hall, çdo problem, rruga dhe lagjja, sheshi dhe pallati, kanalizimi, kanali vaditës, kanali i ujërave të zeza, uji i pijshëm, rrjeti i transmetimit të energjisë elektrike, i presin nga ne. Nuk i presin nga njeri tjetër”, theksoi Balla. Teksa rikujtoi edhe njëherë zgjedhjet e 25 prillit, numri dy i PS tha se atë ditë PS do të marrë rezultatin më të madh historik gjatë gjithë 30 viteve të vet.