Wednesday , April 21 2021

Desantila Tahiraj: Transformuam spitalin e Elbasanit, projekteve të mëdha edhe për Gjinarin turistik

Desantila Tahiraj, kandidate e PS-së në zgjedhjet e 25 prillit tha se “unë vi nga përpjekja e përditshme për të bërë diçka të mirë për shëndetësinë e qytetit tim. Kam që në fëmijëri që rrugëtoj këtu dhe padyshim me angazhimin që mora si drejtuese e Spitalit Rajonal të Elbasanit, e përkthej në detyrim për të rritur vlerat e spitalit në dispozicion të njerëzve”.

Gjatë fjalës së saj, në aktivitetin për prezantimin e kandidatëve të PS në Elbasan, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, Tahiraj tha se, “transformimi që ka pësuar Spitali Rajonal i Elbasanit, në këto vite është një transformim i pa imagjinueshëm”.

Ajo bëri të ditur se, “gjetëm një spital gropë mbetjesh dhe njësish të pa përdorshme duke filluar nga njësitë që ishin të ndryshkura, nga shtretër që tre këmbë i kishin me tulla dhe një e kishin me këmbë hekuri. Modernizuam infrastrukturën, pajisjet e brendshme, aparaturat duke mundësuam një cikël shërbimesh brenda Spitalit Rajonal të Elbasanit”.

Në këto vite, vijoi ajo, është bërë shumë, jo vetëm për infrastrukturën, por ne kemi shtuar edhe shërbime të reja aty. Trajtimi i të gjitha grave, që kanë probleme për kimioterapi, për tumoret më të shpeshta që kanë gratë, bëhen pranë Spitalit Rajonal të Elbasanit. Marrja e të gjitha medikamenteve pas kimios bëhet pranë farmacisë së spitalit.

Ndërsa tha se “nuk di se çfarë do kish ndodhur në kushtet që e gjetëm spitalin e Elbasanit, nëse pandemia do të kish filluar në vitet 2013-2015, me atë infrastrukturë që kishte dhe me aq pak pozicione oksigjen që kishte në spital. Sot spitali ka 16 shtretër me oksigjen”.

Tahiraj u shpreh se, “populli i Elbasanit na ka mbështetur dhe ata kanë nevojë për më shumë vepra të mira në shërbim të tyre”.

“Unë bashkë me skuadrën e PS-së do të jemi pjesë për të lobuar për projekte të mëdha jo vetëm për Elbasanin, por edhe për Gjinarin turistik. Shpronësimi i Gjinarit turistik i ka hapur rrugë projekteve të mëdha të turizmit, që do t’i japë frymëmarrje gjithë zonës së Elbasanit dhe shumë projekte të këtij zhvillimi do të zhvillohen në shumë zona që natyra i ka falur bukuri por që përmes projekteve, do të kthehen në destinacione zhvillimi me impakt ekonomik e social”- deklaroi Tahiraj