Friday , April 23 2021

Humbi jetën si hero duke shpëtuar të tjerët/ Kërkesa e vetme që kanë familjarët e Arjan Salës për shtetin.

Ditën e djeshme iu dha lamtumira e fundit, heroit Arjan Sala, i cili u vetë sakrifikua për të shpëtuar kolegët e tij nga zjarri që kishte përfshirë magazinën ku ata punonin. Në momentin që zjarri kishte rënë Arjani bashkë me dy punonjës të tjerë dhe djalin e pronarit tentuan të fiknin zjarrin që kishte rënë në magazinën e mbushur me rroba sintetike, por nuk ia dolën dot.

Ata arritën të shuanin flakët por jo vatrën e cila u riaktivizua dhe nuk u shua dot deri sa i mori jetën Arjanit i cili pasi nxorri të gjithë punonjësit e tjerë mbeti vetë brenda. Fax Neës ka mësuar se ditën e shtunë kur është bërë edhe ceremonia mortore në familjen Sala, përfaqësues të qeverisë kanë mbërritur për t’u konsultuar me familjarët për të vendosur se ku do të prehet trupi i të ndjerit.

Kjo pasi është iniciuar nisma për shpalljen e Arjan Salës “Dëshmor i Atdheut”, por ende nuk është marrë përfundimisht një vendim i tillë për shkak të pritjes së ekspertizës. Familjarët nuk kanë pranuar që pa pasur një shkresë zyrtare për vlerësimin e aktit heroik të Arjan Salës, që të prehet në varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut”, e për këtë, është marrë vendimi prej tyre që të prehet pranë eshtrave të të afërmve.

Ndërkohë, dyert e banesës së Fadil Salës, babait të Arjanit vijojnë të jenë të hapura një ditë pas përcjelljes së njeriut të tyre të shtrenjtë, ku të njohur e të panjohur shkojnë për ngushëllime. Kërkesa e vetme që ata kanë për shtetin, është që të tregojë vëmendje për djalin 2-vjeçar të Arjanit dhe bashkëshorten e tij.