Wednesday , May 12 2021

“Ta bëj apo të mos e bëj vaksinën”/ Silva Bino del me apelin e rëndësishëm: Nëse keni pasur kontakt me Covid-19…

“Ta bëj apo të mos e bëj vaksinën” është dilema që ka shoqëruar çdo grupmoshë gjatë kësaj faze kur dozat e ardhura në vend po përfshijnë dalëngadalë çdo kategori risku. Në një kohë kur mjekët vijojnë të këshillojë bërjen e vaksinës nga të gjitha grupmoshat, Silva Bino, në fakt, këshillon që vaksinimi duhet shtyrë, nëse keni pasur kontakt ditët e fundit me një të infektuar me Covid-19.

“Nëse keni pasur kontakt me një person me koronavirus, mos e kryeni vaksinën anti-covid pa kaluar 14 ditë. Në qoftë se në familje keni më shumë se një të infektuar, prisni deri në një muaj” – thotë për Abc News shefja e Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik. Silva Bino u bën thirrje qytetarëve të mos fshehin asnjë problem shëndetësor ndërsa pyeten nga mjekët në qendrat e vaksinimit.

“Duhet të kalojnë dy javë nga personi që ka pasur kontakt, pastaj të vaksinohet. Këto janë pyetje shumë të rëndësishme që nuk i tregojnë këtë gjë, janë asimtomatikë dhe normalisht nuk duhet të vaksinohen derisa të përfundojë periudha dyjavore e inkubacionit. Kur janë brenda familjes dhe janë disa persona mes tyre duhet të kalojë dy herë periudha e inkubacionit.”

Në Shqipëri po aplikohen 4 lloje vaksinash kundër koronvirusit, Pfizer, AstraZeneca, Coronavac dhe Sputnik V, ndërkohë që këtë javë pritet që dozat anti-covid t’i marrin dhe personat mbi 65 vjeç dhe 60-vjeçarët me sëmundje kronike.

Por cilën vaksinë do të marrin 60-vjeçarët me sëmundje kronike?

Të gjitha vaksinat kanë indikacion për të vaksinuar persona mbi 65 vjeç edhe me sëmundje bashkëshoqëruese. Mjafton që kjo të mos jetë në fazën e riakutizimit. Prandaj merret një lloj anamneze. Të gjitha vaksinat të mbrojnë ndaj sëmundjeve të rënda 100 për qind edhe ndaj vdekjeve.”

Sipas Binos, vendi ynë po vlerëson efektivitetin dhe sigurinë e të gjitha vaksinave në përdorim, por nuk është pjesë e studimeve klinike siç bëri Turqia apo Brazili me vaksinën kineze të Sinovak-ut.