Saturday , November 27 2021

Emri/ Publikon foton nga fëmijëria, nuk është e vështirë për ta identifikuar, ndryshimi i vetëm: flokët

Blendi Fevziu është një prej gazetarëve më të njohur shqiptarë. Atë e shohim prej shumë vitesh nën drejtimin e emisionit “Opinion”, ku në qendër ka tematika nga më të ndryshmet të aktualitetit shqiptar. Së fundmi, Fevziu ka publikuar në Instagram një foto nga fëmijëria teksa buzëqesh, ku shihet me flokë të gjata.

“As vetë nuk e di sa vjeç kam qenë këtu”, ka shkruar gazetari krahas fotos.

Më herët, Blendi Fevziu rrëfeu detaje interesante të jetës së tij në emisionin “Fit Station”. Fevziu ka folur për karrierën e tij të gjatë dhe vitet e “pafundme” në gazetari, si dhe për familjen për të cilën ndihet fajtor pasi nuk i ofron aq sa duhet kohën e tij.

Ai bëri një krahasim mes gazetarisë së hershme në Shqipëri në fillimet e saj dhe gazetarisë sot, duke treguar se ajo ka ndryshuar 100%.

Për Fevziun, të jesh një gazetar i suksesshëm sot është më e vështirë sesa asokohe, pasi konkurrenca është më e madhe dhe të gjithë kanë gati shembuj që duan t’i ndjekin ose jo. Mirëpo, për ta ka qenë i vështirë fakti që nuk kishin asnjë shembull, asnjë rregull dhe iu futën gazetarisë me intuitë, duke parë se ç’bënin shtetet fqinje si Italia.

Fevziu ka 32 vite që merret me gazetari, mirëpo tre vitet e para ai punonte pa rrogë dhe vetëm nga dëshira e pasioni i madh për të shkruar. Madje, Blendi tregoi se flinte në shtypshkronjë kur ishte 21 vjeç, vetëm për të marrë kopjen e parë të gazetës ku ishte publikuar shkrimi i tij.

“Për pagesë nuk bëhej fjalë, rrija deri në 4 të mëngjesit për të marrë kopjen e parë të gazetës me vete, flija në shtypshkronjë, kam fjetur me netë të tëra në shtypshkronjë. Imagjino një 21 vjeçar që harxhon gjithë darkën në shtypshkronjë që në atë kohë ishin me plumb, ka qenë e tmerrshme, vetëm nga pasioni për të parë letrën me emrin tim.”- ka treguar ai.