Thursday , May 13 2021

Janë ndarë pas 10 vitesh? Mos vallë Rozana Radi na e zbuloi këtë gjë në postimet e fundit në Instagram

Kanë kaluar jo pak, por gati 10 vite kur rrethit të ngushtë të miqve, artistja e njohur Rozana Radi i prezantoi të dashurin e saj. Bëhej fjalë për një djalë jo nga bota e artit, por me sensin e humorit të babait të saj, aktorit tashmë të ndjerë, Ferdinand Radit. I zgjedhuri i saj quhet Shpëtim Karakushi dhe punon si Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, lidhje me të cilin Rozana u përpoq ta mbante të fshehtë tre vitet e para. Flitej në rrethe artistësh se Rozana ishte lidhur me një djalë simpatik, por ndërkohë Rozi shfaqej mjaft e rezervuar dhe nuk dilte në publik me të.

Por në nëntor të vitit 2015, ajo u pa në Panairin e Librit në shoqërinë e Shpëtimit ku u fotografua nga paparazzi i “Panorama Plus”, ku u publikuan dhe detaje mbi të zgjedhurin e Rozanës. Më pas u fotografuan dhe në plazhin e Dhërmiut, si dhe gjatë netëve të Festivalit në RTSH, paparazzi ynë fotografoi përsëri Rozanën me Shpëtimin, dëshmi këto se lidhja e tyre ishte konsoliduar edhe me bashkëjetesë.

Gjatë kësaj periudhë Rozana është pyetur shpesh nga ndjekësit në rrjetet sociale se pse nuk po martohet dhe ajo u është përgjigjur se nuk i pëlqen të bëjë plane. Por këto ditë ndryshe nga ç’ndodh zakonisht me personazhet publikë, ka qenë ajo vetë që i ka hedhur benzinë zjarrit, duke lënë të dyshohet se ajo mund t’i ketë dhënë fund lidhjes prej një dekade me oficerin e Policisë.

Në fillim e nisi me disa statuse kur nënkuptohej trishtimi, ndërkohë që në programin “Boom” i deklaroi mikeshës dhe koleges së saj, Fiori Dardha, se ajo tashmë është single. Në emisionin investigativ “Boom”, këngëtarja dhe moderatorja Rozana Radi gjatë emisionit iu drejtua Fiori Dardhës, duke i thënë se është beqare dhe tashmë do dalë për darkë me ministrin Arben Ahmetaj në Turqi.

Fiori vijonte më tej duke i thënë që të paktën të shkojë në Dubai, teksa shton se as single nuk di të jetë. Disa ndjekës e komentuan si një shaka, të tjerë i kujtuan se shakaja është gjysma e së vërtetës dhe të tjerë janë të bindur se Rozana është ndarë me të vërtetë, pasi pak a shumë ka ditë që jep sinjale të tilla me anë të postimeve të saj. Para disa ditësh, ajo postoi një foto, sipër së cilës shkruante “Sono libera” (Jam e lirë).

Ndërsa gjatë një bashkëbisedimi virtual me ndjekësit në “Instagram”, këngëtarja u pyet se çfarë i mungon më së shumti dhe ajo iu përgjigj: “Do ta thosha, por fatkeqësisht s’do e ndryshoja realitetin. Kam dhe unë pengjet e mia. Jeta më ka mësuar të jetoj me mungesa njerëzish të dashur”. Më pas, ajo publikoi një foto të familjes së saj, ku mungonte i fejuari dhe u shpreh se për sa kohë t’i ketë në krahë, asgjë tjetër s’do t’i mungojë në jetë. “Kjo është familja ime! Sa të kem Zotin para dhe familjen, s’do më mungojë asgjë tjetër në jetë!”, u shpreh këngëtarja.

Në lidhje me Shpëtimin, të vërtetën absolute jashtë kamerave presin ta thotë vetë Rozana! /Panoramaplus.al