Tuesday , June 22 2021

Ja cilat/ Pesë bashki pa kryetar, prej 2 vjetësh presidenti nuk dekreton zgjedhjet e pjesshme

Shkodra, Durrësi, Vora, Rrogozhina dhe Dibra janë 5 nga 61 bashkitë, që aktualisht drejtohen nga kryetarë të emëruar dhe jo të zgjedhur nga qytetarët. Ndonëse në zgjedhjet e vitit 2019, shkodranët ia besuan Valdrin Pjetrit drejtimin e bashkisë Shkodër, ai dha dorëheqjen nga marrja e detyrës, për shkak se prekej nga ligji i dekr1minal1zimit.

Për pasojë Voltana Ademi, me mandat të përfunduar kushtetues prej gati dy vjetësh, vazhdon të drejtoi Bashkinë më të madhe në veri të vendit. Pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, për shkak të një deklarate të pakujdesshme, kryetarja e zgjedhur e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako dha dorëheqjen. Ajo u zëvendësua fillimisht në postin e nënkryetares e më pas atë të kryetares nga Emirjana Sako.

Edhe Bashkia e Vorës, për shkak të problemeve të Agim Kajmakut me drejtësinë, pas një kalvari të gjatë emërimesh shkarkimesh e dorëheqjesh të drejtuesve të emëruar të saj, ka sot një tjetër të emëruar dhe jo të zgjedhur, Gentian Picarin.

Pas ndarjes së papritur nga jeta të kryetarit të bashkisë Rrogozhinë, sot ajo drejtohet nga nipi i tij, Edision Memolla, i cili sipas burimeve të Euroneës Albania nuk ka mbajtur më herët ndonjë post në këtë bashki.

Dionis Imeraj, ish-kryetari i Bashkisë Dibër dha dorëheqjen pak javë më parë për shkak të kandidimit të tij për deputet në zgjedhjet e 25 prillit. Aktualisht kryetar i bashkisë në detyrë është Shkëlqim Murrja.

Neni 61 i ligjit për vetëqeverisjen vendore përcakton qartë procedurën që ndiqet pas përfundimit para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë.

Konkretisht: “Pas depozitimit të dorëheqjes së kryetari të bashkisë pranë këshillit bashkiak, Sekretari i këshillit njofton prefektin për dorëheqjen e tij. Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit. Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor”.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

“Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit”.

Ndonëse data e zgjedhjeve të pjesshme sipas ligjit dekretohet nga presidenti i republikës, dekreti i fundit i dalë nga ky institucion është ai i mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë Kavajë më 21 maj 2017, dekret i firmosur nga presidenti Bujar Nishani.