Friday , June 18 2021

Vaksinimi në vend/ Mes uljes së rasteve dhe frikës nga pasojat! Gati 25 për qind e popullatës…

Gati 25 për qind e popullsisë në vendin tonë ka injektuar së paku një dozë vaksine kundër COVID-19. Ritmet e vaksinimit janë rritur ndjeshëm në javët e fundit pas mbërritjes së më shumë se 400 mijë dozave të vaksinës kineze, “Coronavac”.

SITUATA

Nga ana tjetër, çfarë dukshëm bie në sy është fakti që shifrat e infeksionit në vend kanë pësuar rënie. Prej javësh më pak se 5 për qind e të testuarve rezultojnë të prekur. Ndërkohë, rënie ka pësuar edhe numri i të infektuarve aktivë, i cili ka zbritur në 5,271 persona. Lidhur me situatën për 24 orët e kaluara janë raportuar vetëm 37 persona pozitivë me koronavirus nga 1862 testime të kryera si edhe 3 humbje jete.

“Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 9 raste në Tiranë, 8 raste në Korçë, 4 raste në Shkodër, Vlorë, 3 raste në Pogradec, 2 raste në Devoll, Librazhd, 1 rast në Durrës, Fier, Tropojë, Gjirokastër, Dropull. Në 24 orët e fundit janë shëruar 1,231 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 124,312 që nga fillimi i epidemisë. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor betejën me COVID-19 nuk e kanë fituar 3 qytetarë: 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Cërriku, 1 qytetar nga Fieri, të moshave 51-84 vjeç”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. E qëndrueshme paraqitet situata edhe në spital, ku prej 3 ditësh nuk ka asnjë pacient në intubim. “Aktualisht në spitalet COVID po trajtohen 85 pacientë, nga të cilët 10 pacientë janë në terapi intensive”.

Nisur nga këta tregues këtë javë Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të vendos për lehtësimin e masave, duke shkurtuar orën policore si edhe duke hequr përdorimin e maskës në ambientet jashtë.

VAKSINIMI

Për t’ju rikthyer edhe një herë procesit të vaksinimit. Prej fillimit të vitit, bota është në një garë të ethshme për të rritur shifrat e të vaksinuarve, si e vetmja mburojë ndaj COVID-19. Por ndërkohë, të shumta vijojnë të jenë edhe pikëpyetjet mbi vaksinat që janë aktualisht në qarkullim.

Konkretisht, shumë vende që kanë aplikuar në masë vaksinën kineze, së fundmi rasti i Turqisë, po përballen me një valë të re të pandemisë, duke iu rikthyer masave shtrënguese. Ndërkohë, vijon të jetë prezente pasiguria për vaksinën e Oksfordit, “AstraZeneca”, si edhe vaksinën amerikane “Johnson & Johnson”. Gjatë javëve të fundit, Shtetet e Bashkuara, provinca kanadeze e Ontarios dhe disa vende europiane përfshirë Norvegjinë dhe Danimarkën, ose pezulluan ose ndaluan plotësisht përdorimin e këtyre vaksinave.

“Të kuptuarit e shkakut është e rëndësisë më të lartë për vaksinat e gjeneratës së ardhshme, sepse koronavirusi do të qëndrojë me ne dhe vaksinimi ka mundësi të bëhet i përvitshëm”, tha Eric van Gorp, profesor në Universitetin Erasmus në Holandë, i cili kryeson një grup shkencëtarësh që studiojnë gjendjen.