Tuesday , June 22 2021

“I kishte dalë një kokërr në shpinë”, deputetja e Elbasanit tregon momentin e dhimbshëm kur humbi të birin

E ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Flutura Açka, një nga ato gra që me dinjitet mund të përfaqësojnë pa frikë në çdo kohë intelektualen shqiptare. Ajo është një shkrimtare origjinale dhe me një penë të admirueshme, është një grua e fortë që përkthen në rreshta çdo ndjesi dhe perceptim, deri në dhimbjen më të madhe, si ajo e humbjes së një fëmije. Dhimbje të cilën fatkeqësisht e preku para tre vitesh dhe sot e përgjithmonë e ka nën lëkurë si forcën më të madhe dhe si mesazhin më të rëndësishëm që jeta i ka dhënë në një formë jo të lehtë, me të cilën është vështirë të bashkëjetohet.

Shkrimtarja ka ndarë me publikun momentin e saj më të dhimbshëm, atë të humbjes së djalit, si e zbuloi sëmundjen e tij dhe si arriti që ta përballojë një tragjedi të tillë.

Mirela Milori: Vjen një moment shumë i vështirë, çfarë ndodhi me Jerin, me juve, pse iku?

Flutura Açka: Ishte Dhjetori i vitit 2016, ku unë i prisja të vinin në Shqipëri sepse në atë kohë presidenti i Republikës më akordoi një titull “Mjeshtri i Madh” dhe më njoftuan që do bëhet ceremonia në këtë datë. I prisja babë e bir të vinin në Shqipëri dhe më merr në telefon atë ditë që do i dilja në aeroport im shoq dhe më thotë që ne nuk vijmë dot, sepse duhet të shkojmë në spital.

U trondita, i thashë pse, e tha që i ka dalë një kokërr djalit në shpinë. Atë ditë që kam marrë çmimin unë kam qenë një gjë e zbehtë, një gjë pa ngjyrë sepse kishte filluar trembja e nënës. Më pas edhe ambasadorja e Holandës bëri një mbrëmje, erdhi afër dhe më tha: “Po sa djalë i mençur. Ky do jetë një ambasador i ardhshëm i kulturës shqiptare, sa mirë më vjen moj Flutur sepse di dhe Shqip, Anglisht dhe Holandisht. Çfarë djali të mirë paske”. Mua m’u thye diçka në shpirt kur më tha këtë ambasadorja.

Iku ky moment, u nisëm për në Holandë në fillim të Janarit, pastaj filloi ferri. Disa muaj kemi jetuar edhe me atë ndjesinë që ia hodhëm, por nuk ia kishim hedhur. Shpresa deri në momentin e fundit vazhdonte të mbinte në plagën time deri në 5 Maj të vitit 2018, 18 ditë, 18 orë para se të mbushte 18 vjeç. Në fund të Marsit, doktorët i ndërprenë ilaçet dhe nuk kishte më kuptim asnjë gjë. Kanë qenë javë të çuditshme, javë ku tim biri i është dashur të më mbajë mua, të më mësonte që të kuptoja që do të vinte një ditë që ai nuk do të ishte dhe unë duhet të isha e përgatitur për atë ditë. Ka qenë universitet më vete, unë s’kam ditur asnjë gjë, sepse njeriu para dhimbjes është tjetër njeri dhe aty e kam kuptuar se çfarë është jeta.

Kur ju më thoni deputete, unë nuk kam asnjë ambicie për asnjë gjë, përveç ambicies së mirë për të bërë diçka. Nuk kam asnjë interes, as paraja, asnjë gjë, e kam arritur fundin, atë kuadratin që mund të jetë ngopja e njeriut, s’kam nevojë më për asnjë gjë, sepse gjënë më të çmuar nuk e kam më.

Flutura tregon se është i biri që vazhdon ta mbajë në këmbë, madje i ka premtuar që nuk do hiqte dorë kurrë nga shkrimi. Një nga arsyet që shkrimtarja iu fut politikës është i biri, pasi në subkoshiencën e tij në shumë ese që kishte shkruar shpreh dëshirën për t’u bërë politikan. /tvklan.al