Sunday , June 13 2021

Qyetarët elbasanas të shqetësuar! Kur pritet të nisë injektimi i dozës së dytë me “Coronavac”?

Pezullimi i procesit të vaksinimit për ata që duhet të injektojnë dozën e dytë të “Coronavac” pritet të zgjasë së paku edhe disa ditë të tjera. Nga Instituti i Shëndetit Publik është bërë me dije se është firmosur kontrata e radhës për 500 mijë doza të vaksinës kineze me kompaninë turke, por pa specifikuar se kur do të mbërrijë kjo dërgesë. Ajo që mund të thuhet është që qytetarët, të cilët janë në pritje të dozës së dytë, duhet të kontaktojnë në mënyrë të vazhdueshme me mjekun e familjes për t’u informuar për datën se kur duhet të paraqiten pranë qendrës së vaksinimit.

VAKSINA

Mungesa e dozave ka shkaktuar jo pak shqetësim te qytetarët, të cilët i druhen faktit që kjo vonesë mund të ul mbrojtjen ndaj COVID-19. Por sipas ekspertëve, zgjatja në kohë e dozave, pra më shumë se një muaj, nuk krijon probleme përkundrazi ndihmon në krijimin e një mbrojtje më të lartë ndaj sëmundjes. Vonesa nuk ishte e befasishme, pasi ishte paralajmëruar qysh në muajin prill nga kompania turke, me ndryshimin e marrëveshjes. Kontrata e rishikuar parashikon që furnizimi me dozat e radhës të “Coronavac” të mos bëhet nga Kina, por përmes degës së prodhimit në Turqi. Në këto kushte do të ndryshojë paketimi. Kujtojmë që kontrata e parë u firmos për 500 mijë doza me një faturë 10 milionë dollarë dhe ndërkohë, u tha që ishte rënë dakord që të siguroheshin 1 milion të tilla deri në fund të muajit qershor. Mungesa e vaksinës kineze ka shkaktuar ndërprerjen e procesit për personat që duhet të merrnin dozën e dytë, por vijon procesi i vaksinimit me “AstraZeneca”, me vaksinën ruse “Sputnik” dhe atë “Pfizer”