Sunday , June 13 2021

A do të hiqet ora policore këtë javë? Ogerta Manastirliu tregon vendimin e ekspertëve

Meqenëse rastet e infektimit me Covid-19 janë ulur ndjeshëm dhe numri të shtruarëve në spital po ashtu, anëtarë të Komitetit të Ekspertëve, në disa deklarata publike kanë deklaruar se së shpejti mund të merret një vendim për të hequr maskat në mjediset publike dhe po kështu mund të ulej kufizimi i orës policore. Por as këtë javë asgjë nga këto nuk ndodhi.

Aktualisht, orari i kufizimit të lëvizjes vijon të jetë ora 22.00 me 06.00. Ministrja Ogerta Manastirliu, në një intervistë për News 24, tha sot se kujdesi duhet të jetë ende i shtuar, pasi virusi ndodhet mes nesh.

Sipas ministres, vendimet për heqjen e orës policore dhe lehtësimin e masave të tjera merren nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, të cilët monitorojnë në terren dhe nga afër çdo ditë të dhënat epidemiologjike në vend.

“Shqipëria është një vend, i cili, edhe sot që flasim, por gjatë gjithë kësaj periudhe, s’ka pasur mbyllje totale. Ka pasur masa të intensitetit mesatar. Kjo ka sjellë që të kemi efekt të këtyre masave. Duhet thënë që jemi në një moment kur kemi numrin më të ulët ndonjëherë të rasteve aktive, gjatë këtyre muajve. Kjo s’do të thotë që ne të çlirohemi njëherë e përgjithmonë. Virusi është ende këtu, duhet të tregojmë kujdes. Masat, siç janë ora policore, mbyllja e bareve, restoranteve dhe klubeve të natës, kanë sjellë një ulje të rasteve të infektimeve. Edhe mbajtja e maskave, mbajtja e distancës, vijojnë të jenë mjetet dhe armët me kosto të ulët që vijojnë të jenë thelbësore për kufizimin e virusit”.

Ndërsa për Komitetin e Ekspertëve, Manastirliu tha: “Ata mblidhen çdo ditë. Për aq kohë sa Komiteti i Ekspertëve s’ka pasur vendimmarrje sa i përket orës policore apo heqjes së masave të tjera, tregon që ende s’kemi një vendimmarrje”.