Tuesday , June 22 2021

Festë për parkun e Shebenikut/ Balla jep lajmin e mirë: Do ndërtohet rruga për të nxitur turizmin malor

13 vite Park Kombëtar Shebeniku ka festuar sot datën e shpalljes Parku më i madh në Shqipëri. Të shumtë ishin vizitorët që kanë qenë këtu për herë të parë dhe janë mahnitur nga bukuritë natyrore. Përpos bukurive natyrore janë prodhimet bio të zonës ato që gjithnjë e më shumë preferohen nga vizitorët dhe janë pikat më të forta të kësaj zone.

Por teksa parku do të jetë lehtësisht i vizitueshëm nga të gjithë, tashmë sfidë mbetet ruajtja dhe mos dëmtimi i tij.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca e ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi morën pjesë në festën e 13-vjetorit të Parkut Kombëtar të Shebenik-Jabllanicë në Librazhd.

Në hyrje të fjalës së tij, Balla falenderoi ambasadorin Soreca si edhe Bashkimin Europian për mbështetjen financiare në zhvillimin e infrastrukturës së kësaj zone.

“Dua ta falënderoj ambasadorin Soreca, por në mënyrë të veçantë Bashkimin Europian dhe Bankën Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim, të cilët janë financuesit e përfundimit të rrugës nga Zgoshti deri tek Ura e Cerenecit. Është një segment rrugor prej 47 km, që lidh Librazhdin me Peshkopinë, por që i jep Fushë-Studnës, Steblevës, Borovës, Sebishtit dhe më pas gjithë zonës së Bulqizës një lidhje të re me Shqipërinë e Mesme”, tha Balla.

Teksa u bëri thirrje vizitorëve që të vijnë sërish në këtë zonë për të shijuar bukurinë natyrore, Balla tha se nuk do të tolerojnë asnjë ndërtim pa leje.

Në fund të fjalës së tij, numri dy i PS falënderoi edhe ministrin e turizmit, Blendi Klosin për vëmendjen që i ka kushtuar këtij parku kombëtar.

Banorë të zonës dhe qindra të ftuar janë mbledhur ditën e sotme për të festuar 13-vjetorin e parkut.

Vallet tradicionale dhe panairi i prodhimeve ‘bio’ duket se janë mënyrat më të mira të promovimit të kësaj zone.