Friday , June 18 2021

Manastirliu në Elbasan: Pediatrisë së re i shtohet një pavion i ri. Modele të tilla kudo në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër investimet në pediatrinë e Elbasanit. Ajo çfarë do t’i shtohet këtij spitali është një pavion për shërbime miqësore për fëmijë. “Ka ardhur momenti që pushteti lokal të kontribuojë për shëndetin publik”, tha Manastirliu. Gjithashtu ministrja e Shëndetësisë tha se ky projekt do të finalizohet brenda këtij viti.

“Pediatria e re e Elbasanit, një investim i shumëpritur për të gjithë rajonin, do të finalizohet brenda vitit, për t’i siguruar fëmijëve kushte sa më të mira por edhe stafeve mjekësore, kushtet që ato meritojnë, për të ofruar një shërbim shëndetësor sa më cilësor, me standarde bashkëkohore”, shtoi më tej Manastirliu.

Gjatë këtij takimi me infermierë e mjekë, Manastirliu tha se ajo çfarë ka rëndësi është futja në një fokus të ri të sistemit spitalor, nëpërmjet modelit të autonomisë spitalore.

“Fokusi i qeverisë prej 8 vitesh, do të jetë ofrimi i kujdesit shëndetësor afër vendbanimit. Tani puna do të fillojë për të ngritur në një nivel më të lartë sistemin publik shëndetësor duke vijuar mbështetjen për mjekët dhe infermierët. Me rëndësi është futja në një fokus të ri të sistemit spitalor nëpërmjet modelit të autonomisë spitalore. Jam e bindur që me këto potenciale, sistemi apo modeli i autonomisë spitalore do të jetë shumë më i lehtë për tu implementuar në çdo spital”, tha Manastirliu.