Friday , June 18 2021

Nga heqja e maskës te shkurtimi i orës policore, si pritet të ndryshojnë masat anti-Covid ne vend! Sot vendimi i Komitetit të Ekspertëve

Gati një javë me vonesë, Komiteti Teknik i Ekspertëve pritet të vendosë sot për lehtësimin e masave anti-Covid. Lajmin e dha vetë Kryeministri Rama kur tha se nesër (sot) komiteti do të dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave për një sezon turistik më të lehtësuar.

“Jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë, shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë, nuk kemi parashikueshmëri të plotë 100% lidhur me rrugën drejt daljes së plotë nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Nesër (sot) Komiteti do dalë me planin e ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për një sezon turistik shumë më të lehtësuar se sezonin e kaluar besoj do të realizohet”, tha Kryeministri nga qendra e vaksinimit në sheshin “Skëndërbej” në kryeqytet.

Surprizë nuk janë as masat që pritet të ndërmerren. Prej ditësh flitet për heqjen e maskës në ambientet jashtë si edhe për shkurtimin e orës policore. Komiteti do të duhej të ishte mbledhur që në datën 20 maj për të bërë një vlerësim të situatës si edhe për të përcaktuar planin e ri të masave me kohëzgjatje dyjavore. Mbledhja sot zhvillohet një javë me vonesë, ndërsa përgjatë kësaj periudhe, pra, nga data 20 maj deri në datën 26 maj, nuk ka qenë asnjë masë shtrënguese në fuqi për shkak se afati i masave ishte për një periudhë 14-ditore.

Prej disa javësh ka një përmirësim të dukshëm të situatës epidemiologjike. Rastet e reja pozitive me COVID-19 janë ulur ndjeshëm, ndërsa rënie kanë pësuar edhe shtrimet në spital si edhe fatalitetet. Pas 244 ditësh përballje me virusin, të mërkurën, nuk është raportuar asnjë humbje jete. Ndërsa në spitalet COVID numri i pacientëve që po marrin trajtim mjekësor ka shkuar në 43.