Sunday , June 13 2021

Miratohet vendimi: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me pika të përbashkëta të kalimit kufitar

Këshilli i Ministrave, ka vendosur në mbledhjen e sotme miratimin e marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta kufitare. Ky vendim merret për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve në të dy anët e kufirit, aq më tepër për sezonin turistik që tashmë thuajse ka filluar. Më herët e njëjta procedurë është ndjekur me Kosovën.

VENDIMI I PLOTË

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT, PËR NGRITJEN E PIKAVE TË PËRBASHKËTA TË KALIMIT KUFITAR NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.