Friday , July 23 2021

Një arrátisje në Seferan, fshatin e vogël të Belshit, projektuar nga Sami Frashëri si kryeqyteti i Shqipërisë

Nëse mendoni që fundjava i takon vetëm detit e keni gabim. Do të kemi muaj të tërë për të shijuar edhe detin, diellin dhe rërën. Një arŗatisje e ëmbël nëpër kodrinat e Belshit, do të ishte një nga të dielat më fantastike, të cilën njerëz të afërt ma kishin treguar, por që është ndryshe kur e përjeton vetë. Tani është dhe momenti i duhur, pa ardhur ende ajo vapa e tmerrshme, për të shijuar natyrën e gjelbër si dhe ushqimin fantastik të kësaj zone. Shumë afër Tiranës, Belshi ose zona e Dumresë është një destinacion fantastik, për ta kaluar fundjavën ndryshe dhe mbi të gjitha duke shmangur kontaktin e shumtë me njerëzit (në këtë periudhë pandemie) pasi shoqëruesi yt gjatë këtij udhëtimi është vetëm natyra.

I gjithë udhëtimi në këtë zonë (sipas të lashtëve fjala Dumre vjen nga duam re, pasi zona është e thatë) rezultoi një dashuri me shikim të parë. Një Toskanë e vogël në kërthizën e Shqipërisë, e cila gjallon nga kodrina të gjelbëruara si dhe nga 84 liqene plot me zambakë uji.

Rruga për në Belsh është e asfaltuar, me tabelat përkatëse, të cilat të çojnë në shëtitoren kryesore të tij. Në anën tjetër të liqenit ngrihet kulla panoramike për t’ju dhënë të gjithëve mundësinë që syri dhe aparati të fiksojë pamjet më të bukura. Në një perimetër sa liqeni ravijëzohet korsia e biçikletave, si dhe gjenden pika të veçanta ku mund të marrësh me qira një në rast se nuk keni. Shëtitja me varkë është një tjetër kënaqësi që të ofron ky vend.

Në të djathtë të tij shtrihet rruga që të çon në fshatin e bukur të Seferanit, që pa frikë do e quaja kryeqyteti i natyrës. Në këtë fshat gjenden bujtina si dhe agroturizme, të cilat të ofrojnë ushqim organik me ullinj të zonës, bukë të bërë vetë, perime të mbjella nga fshatarët, si dhe vajin e ullirit, një specialitet të zonës. Në këto zejtari gjen dhe shumë prodhime vendi që shiten, duke nisur që nga frutat, vezët dhe produktet e përpunuara. Kështu që përveç se shijon ushqimin, mund të marrësh dhe një kavanoz reçel të bërë vetë ose një verë të mirë të zonës. 

Se mund ta gjeja veten me një botë arti në këtë pllajë nuk e kisha imagjinuar kurrë! Vetëm 100 metra më tutje gjendet “Bujtina e Trëndafilave”, një bujtinë që të ofron një galeri të pasur me punime artizanale të zonës. Unë e quajta Côte d’Azur të Belshit. Bujtina është e vendosur mbi një kodrinë, përreth së cilës gjenden vreshta rrushi si dhe shumë fruta të tjera. Përballë saj shtrihet një nga liqenet më të mëdhenj.

Pasi kalon dhe “Bujtinën eTrëndafilave” magjia e natyrës nuk ndalet. Liqene dhe kodrina të pafundme, si dhe fusha të tëra të mbjella me mbretëreshën e shëndetit, lulen e shafranit, e cila për momentin kishte periudhën e tharjes. Fusha lejla të mbjella nga ari i kuq, një nga lulet më të çmuara për shëndetin, e quajtur ndryshe dhe si lulja e jetës, për shkak të vetive kurative të saj.

Ja pra, pse shumë miq të mi ma kishin zbukuruar Belshin. U binda dhe vetë që kjo fundjavë ia vlejti, sepse njoha një zonë të re me një natyrë të magjishme, që të ofron bukuri pafund, piknik, xhiro me skaf, kanotazh, çiklizëm, vizita nëpër ferma të ndryshme, si dhe ushqim shpirtëror.

Nga: Santana Çomora living.al